Ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB: Rezoluta nuk mund të quhet votë kundër SHBA

Ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB, Abdi Baleta flet për rezolutën e OKB kundër vendimit për Jerusalemin. Në emisionin “Kjo javë” me Nisida Tufën në “News24”, Baleta thotë se kjo rezolutë nuk mund të quhet votë kundër ShBA, pasi vetë rezoluta e OKB-së nuk është protestë ndaj SHBA-ve. Sipas tij, kjo rezolutë ishte një formë kërkesë ndaj SHBA për të rishikuar qëndrimet e saj.

Duke u ndalur në situatën e krijuar në Shqipëri pas kësaj vote, ish-ambasadori Baleta tha se “Debati për këtë rezolutë ka kaluar nga një çështje ndërkombëtare e shtetit shqiptar, në një përplasje të brendshme politike”.

Sakaq, ai ka komentuar reagimet e bëra nga Presidenti Meta dhe nga opozita, lidhur me votën e Shqipërisë në OKB.

“Në një shtet serioz, ku vërtet funksionojnë institucionet ku duhet, ku titullarët e institucioneve shohin interesin e shtetit, nuk merren vendime pa komunikuar me njëri-tjetrin. Por situata në vendin tonë nuk është normale. Imazhin e keq Shqipërisë nuk ka për t’ia krijuar ai votim atje, por kjo situatë politike që pasoi këtu në vendin tonë”, u shpreh ish-ambasadori Baleta.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne