Ish-familja mbretërore jugosllave kërkon kështjellat në Mal të Zi

Pasardhësit e ish-familjes mbretërore jugosllave dëshirojnë t’u rikthehen kështjellat dhe një shtëpi në Mal të Zi, por edhe pronat në Serbi, Slloveni, Bosnje dhe Maqedoni, sipas një dokumenti që BIRN ka marrë nga zyra e familjes Karadjordjeviç.

Dokumenti thotë se familja Karadjordjeviç dëshiron t’i rikthehet një kështjellë në Milocer, kështjellën Leskovac në Rijeka Crnojevic dhe një shtëpi në të cilën lindi mbreti Aleksandër në ish-kryeqytetin historik malazez, Cetinje.

Zyra e Karadjordjeviçëve tha për BIRN se familja nuk do të komentojë në lidhje me këtë çështje pasi ajo vazhdon ende.

Prona u konfiskua pas Luftës së Dytë Botërore, kur komunistët erdhën në pushtet në ish-Jugosllavi. Shumica e tyre tani përdoren nga shteti malazez, por tokë dhe ndërtesa me vlerë disa miliona euro u privatizuan ose janë marrë për t’u përdorur nga kompani private.

Më 27 shkurt, u zbulua se familja mbretërore kishte kërkuar kthimin e 22,000 metra katrorë tokë pranë resortit me pesë yje Milocer në komunën e Budvës.

Qeveria lokale e Budvës, e drejtuar nga disa parti të cilat janë në opozitë në nivel kombëtar, tha se kjo kërkesë ishte shënuar në librin zyrtar të Administratës së Pronës të vendit, që do të thotë se toka edhe zyrtarisht është në pronësi të shtetit, nuk mund të shitet.

Vendimi shkaktoi reagime të ashpra dhe ndarje në koalicionin qeverisës të Budvës, i përbërë nga parti pro-serbe dhe pro-malazeze të cilat kanë pikëpamje të ndryshme përsa i takon rolit të Karadjordjeviçëve në fillim të shekullit të 20-të në Malin e Zi.

Disa i shohin Karadjordjeviçët si çlirimtarë dhe njerëzit më përgjegjës për bashkimin e serbëve dhe malazezëve në vitin 1918, por të tjerë besojnë se familja mbretërore duhet të fajësohet për humbjen e pavarësisë së Malit të Zi në shekullin e 20-të.

Por menaxheri i qytetit të Budvës, Milo Bozovi, tha për mediat lokale më 28 shkurt se prona luksoze në Milocer dhe ndërtesa të tjera të çmuara dhe toka duhet t’i kthehen “pronarëve të vërtetë”, edhe pse resorti turistik me pesë yje i ndërtuar aty është privatizuar dhe tani menaxhohet nga një kompani greko- malazeze.

“Kjo vlen jo vetëm për dinastinë serbe, por edhe për të gjithë qytetarët e tjerë dhe mendoj se të gjithë duhet të kompensohen”, tha Bozoviç.

Kisha Ortodokse Serbe në Malin e Zi ka hyrë gjithashtu në debatin publik, duke i bërë thirrje shtetit që ose t’u kthejë pronën ose të kompensojë Karadjordjeviçët.

Peshkopi i saj Amfilohije tha më 27 shkurt se “ajo që është marrë është e mallkuar” dhe se prona e konfiskuar duhet t’i kthehet pronarit të saj të ligjshëm, pavarësisht se kush është ai.

Në vitin 2014, ish-familja mbretërore tha gjithashtu se do të kërkonte rikthimin e një vile luksoze në fshatin bregdetar të Milocerit, pranë qytetit turistik të Budvës, e cila ishte rezidenca verore e mbretit Aleksandër, së bashku me Plazhin e Mbretëreshës, i cili e mori këtë emër se ishte destinacioni i referuar i pushimeve të Mbretëreshës Maria të Jugosllavisë.

Vila Milocer, e cila aktualisht është një hotel luksoz në pronësi të shtetit i marrë me qira nga një kompani greko-malazeze, ishte e regjistruar si pronë e Mbretëreshës Maria deri në Luftën e Dytë Botërore.

Shtëpia në të cilën lindi mbreti Aleksandër në Cetinje, të cilën pasardhësit e Karadjordjeviçëve po e kërkojnë gjithashtu, tani është një muze etnografik.

Ata po kërkojnë gjithashtu një kështjellë në Liqenin Skadar, pranë Cetinjes, e cila shërbente si rezidencë dimërore për familjen mbretërore.

Në qytetin malazez të Rijeka Crnojevica, familja Karadjordjeviç dëshiron t’i jepen 47.586 metra katror tokë në të cilën ndodhet kalaja e Leskovac.

Një gjykatë në Beograd në prill të vitit 2014 rehabilitoi ligjërisht ish-mbretëreshën Maria, duke vendosur se asaj iu mor në mënyrë të paligjshme prona dhe shtetësia nga autoritetet komuniste në vitin 1947.

Vendimi lejoi trashëgimtarët e ish-familjes mbretërore që të kërkonin pronën e tyre të konfiskuar sipas ligjit të rikthimit të pronës të Serbisë.

Në fund të vitit 2013, një gjykatë në Beograd vendosi gjithashtu se një vilë në zonën e Dedinjes të kryeqytetit serb që po përdorej si ambasadë malazeze duhej t’i kthehej Elizabeth Karadjordjeviçit.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne