Ish-kreu i zyrës së Rabinit: Nëse do të shpërthejë një përballje ushtarake me Iranin, Izraeli do ta humbasë luftën dhe qeveria e Netanjahut duhet të …

Artikulli që u publikua ditën e hënë nga analisti veteran Eitan Haber në gazetën hebraike “Yedioth Ahronoth”, ishte shumë interesant dhe aspak i zakonshëm për agjendën izraelite, duke pasur parasysh se Haber ka mbajtur pozicione të shumta qeveritare dhe ka shërbyer si drejtor i Zyrës së ish-kryeministrit izraelit Yitzhak Rabin, si dhe ka shkruar shumë libra për konfliktin arabo-izraelit.

Zuhejr Andraus, Nazaret – Palestinë

Është e rëndësishme të theksohet se Haberi nuk është një “pëllumb paqeje”, por përkundrazi, konsiderohet një skifter nga skifterët e të ashtuquajturit Izraeli qendror.

Në artikullin e tij, Haber i bën thirrje qeverisë izraelite për të kryer negociata me Iranin, për shkak se ky shtet, siç u shpreh ai, është bërë shteti më armiqësor ndaj Izraelit. Ndërkohë, ai e vë theksin në faktin se ato që fliten për popullin iranian kinse ai nuk i dëgjon udhëheqësit e Republikës Islamike dhe se nuk i intereson Izraeli, janë fjalë boshe dhe nuk kanë kurrfarë lidhjeje me të vërtetën.

“Populli iranian – thekson Haber – është i etur për luftë me shtetin hebre dhe është i gatshëm për të sakrifikuar në mënyrë që ta fshijë atë nga harta. Si rrjedhojë, mundësia e ndezjes së një lufte të paparë, tanimë ekziston sot më shumë se kurrë” – shtoi ish-kreu i Zyrës së Rabinit. Kësisoj, për të shmangur këtë rrezik të afërt, Haber u bëri thirrje vendimmarrësve në Tel Aviv “që të ndryshojnë politikat e tyre në raport me këtë vend dhe të hyjnë së bashku në negociata për të zgjidhur mosmarrëveshjet ekzistuese mes tyre”, siç u shpreh ai.

Haber theksoi se “Irani është më i rrezikshëm dhe më i fuqishëm se të gjitha vendet arabe të marra së bashku. Gjithashtu, bëhet fjalë për një armik të rafinuar e të civilizuar, i cili është në kërkim të një mënyre për t’u hakmarrë ndaj Izraelit, njësoj siç bëri pas sundimit të Shahut në Iran, sundim i cili u karakterizua nga represioni, ndëshkimet dhe vrasja e njerëzve të pafajshëm që u vranë për shkak se ishin prej kundërshtarëve të tij.”

“Pavarësisht diktaturës së Shahut, ajo ishte komode për Izraelin, i cili bëri një sy qorr ndaj këtij regjimi shtypës e autoritar dhe ka vazhduar të bashkëpunojë me të derisa ai ‘u fshi’ nga Revolucioni Islamik në vitin 1979”, shtoi ai më tej.

Haber ishte shumë i sinqertë në artikullin e tij, që në shtetin hebre konsiderohet cicërimë jashtë tufës a kafazit apo të ashtuquajturit konsensus kombëtar sionist. Për më tepër, ky njeri nuk e fsheh frikën e tij nga pasojat e luftës mes Izraelit dhe Iranit, në rast të shpërthimit të saj. Sipas tij, “në rast të një konfrontimi ushtarak mes shtetit hebre dhe Republikës Islamike, dora e Iranit do të jetë më lart.”

Ish-kreu i Zyrës së Rabinit shtoi se “bazuar në sa më sipër, është detyrë e klasës politike në Tel Aviv që të bëjë ç’të mundet në mënyrë që të gjejë mënyra dhe mjete për të bërë negociata pajtimi e paqeje me Iranin”, duke theksuar se “shteti hebre e bëri këtë me Egjiptin e Jordaninë, dhe është duke u përpjekur për të ecur përpara drejt paqes me palestinezët. Prandaj, – vazhdoi Haber duke thënë – duhet të arrihet paqja me një Iran më të fuqishëm.”

Në kontekstin e analizës së tij, ai vuri në dukje se biseda rreth mungesës së mundësisë së paqes me Iranin është e zhveshur nga e vërteta; para paqes me Egjiptin në vitet ’70 të shekullit të kaluar, shumica dërrmuese e izraelitëve besonin se nuk mund të arrihej një marrëveshje paqeje me Egjiptin. Porse në fund u arrit nënshkrimi i Marrëveshjes së Camp David-it, e cila vazhdon të jetë e qëndrueshme dhe konstante deri në ditët e sotme.

Haber arrin në përfundimin se “Irani është një vend shumë i përparuar që posedon armë e raketa, dhe se së shpejti mund të zotërojë edhe armën bërthamore. Për këtë arsye, është detyrë e qeverisë izraelite të fillojë menjëherë të kërkojë për kanale kontakti me Teheranin, madje edhe pa pëlqimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke treguar në të njëjtën kohë se Amerika nuk mund të rrezikojë jetën e qytetarëve të saj, siç po bën Izraeli me Iranin këto ditë”, tha ai.

*Raport i datës 23 tetor 2017 për redaksinë e gazetës “Ra’jul Jeum”, nga Nazareti – Palestinë/ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne