Ish-kryetari i KQZ: Mosrakordimi i shifrave tregon se procesi nuk është në rregull

“Këto nuk janë zgjedhje, janë një proces votimi, dhe madje një proces votimi shumë i sforcuar, pasi nuk zhvillohen në një terren ligjor”. Kështu u shpreh për Mapon ish-kryetar i KQZ-së, Kristaq Kume duke komentuar procesin e votimeve të mbajtura më 30 qershor.

Mosrakordimi i shifrave të pjesëmarrjes me shifrat e votave në rezultatet paraprake të dhëna nga KZAZ-të tregon se administrimi i procesit nuk është në rregull, sipas tij, dhe ky është një shkak për përsëritje të votimeve.

Por Kume nuk nxitohet në dhënien e një opinioni në këtë drejtim pasi sipas tij duhen para shifrat në procesverbalet e KZAZ-ve dhe jo shifrat e raportuara prej tyre në KQZ me telefon.

“Problemi duhet parë në shifrat e procesverbaleve ku duhet të shënohet numri i saktë i votuesve, numri i pjesëmarrjes në votime, numri i fletëve të votimit të vlefshme, numri i fletëve të votimit të pavlefshme. Nëse mes këtyre shifrave ka mopërputhje, atëherë përbën një problem, tregon që procesi nuk është administruar si duhet”, thotë ai.

Ish-kryetari i KQZ-së e sheh këtë institucion në një pozicion jo të rehatshëm gjatë këtij procesi dhe rolin e kryetarit të KQZ-së po ashtu të vështirë. Sipas Kumes, shpalljen përfundimtare të rezultatit të zgjedhjeve me siguri do ta bëjë Kolegji Zgjedhor nëse KQZ nuk do të arrijë të marrë vendim me 5 vota.

Sipas Kumes, ky proces nuk ishte demokratik sepse i është larguar parimeve themelore të proceseve zgjedhore demokratike, ku votuesit duhet të zgjedhin mes alternativave të ndryshme./lapsi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne