Ish pronarët,procedura të marrin deri në 5% të vlerës së tokës

Prej më shumë se një muaji Agjencia për Trajtimin e Pronave ka nisur procedurat për shpërndajen e kësteve. Deri më tani është bërë shpërndarja për e kësteve për 3 lista ish pronarësh dhe ATP thotë se do të vijojë procedura e kompensimit. Por cila është procedura e kompensimit që ndjek Agjencia për Trajtimin e Pronave?

Kompensimi i subjekteve fillon pasi vendimi i vlerësimit të pronës bëhet përfundimtar. Vlerësimit bëhet përfundimtar kur: Ka kaluar afati i përcaktuar dhe nuk ka patur ankim; Subjektet e interesuara dhe Avokatura e Shtetit deklarojnë që nuk do të bëjnë ankim; Ka ankim dhe është përfunduar shqyrtimi në gjykatat e të gjitha niveleve, duke përfshirë edhe Gjykatën e Lartë. Subjektet, të cilët disponojnë një vendim përfundimtar të vlerësuar financiarisht, kanë të drejtë të aplikojnë për kompensim.

ATP-ja vijon procedurat për kompensimin e subjekteve sipas rendit kronologjik, duke filluar nga vendimi më i hershëm dhe duke shqyrtuar e verifikuar dokumentacionin sipas formularit. Të gjitha vendimet përfundimtare, të vlerësuara financiarisht si tokë bujqësore, pyll, livadh e kullotë përfitojnë kompensim fizik nga fondi i tokës.

Të gjitha vendimet përfundimtare, të vlerësuara financiarisht si tokë truall, përfitojnë kompensim financiar nga fondi financiar i kompensimit, deri në masën 50 000 000 lekë dhe pjesa e mbetur nga vlerësimi i vendimit përfundimtar kompensohet fizikisht, nga fondi i tokës.

Në rastet kur nga vlerësimi i vendimit përfundimtar për tokën truall rezulton se pjesa e mbetur është deri në 5% më e madhe se vlera 50 000 000 lekë, atëherë subjekti kompensohet për të gjithë vlerën, në rastet kur nga vlerësimi i vendimit përfundimtar rezulton se pjesa e mbetur është më e madhe se 5% mbi vlerën 50 000 000 lekë, atëherë subjekti, për diferencën mbi 50 000 000 lekë, kompensohet fizikisht, nga fondi i tokës.

Kriteri për shpërndarjen e fondit të tokës për kompensim fizik është që ATP-ja të përzgjedhë pronën gjeografikisht më pranë pronës së njohur për kompensim. ATP-ja shqyrton dokumentacionin e subjekteve, duke verifikuar dokumentacionin e lëshuar nga institucionet që e kanë lëshuar atë.

Në rastet kur ATP-ja vlerëson se për ekzekutimin e vendimit përfundimtar është i nevojshëm një hetim administrativ, atëherë ajo kryen procedurën hetimore administrative, sipas procedurave të përcaktuara në Kodin e Procedurave Administrative.

“Duke filluar nga data 3 prill, takimi me trashëgimtarët e subjektit të shpronësuar apo personat me prokurë në lidhje me sqarimet, depozitimet e dokumentacionit apo çdo procedure tjetër në funksion të zgjidhjes sa më të drejtë të objektit të kërkesës, do të bëhet si më poshtë: Grupet e punës të cilët shqyrtojnë kërkesat e Komuniteteve Fetare do të kryejn takimet me subjektet e autorizuara cdo ditë të hënë nga ora 09.00-15.00.

Grupet e punës të cilët shqyrtojnë kërkesat për qarqet Tiranë, Elbasan, Dibër do të kryejn takimet me subjektet kërkues cdo ditë të martë nga ora 09.00-15.00. Grupet e punës të cilët shqyrtojnë kërkesat për qarqet Vlorë, Fier, Gjirokastër do të kryejn takimet me subjektet kërkues cdo ditë të mërkurë nga ora 09.00-15.00.

Grupet e punës të cilët shqyrtojnë kërkesat për qarqet Durrës, Korçë, Berat do të kryejn takimet me subjektet kërkues cdo ditë të enjte nga ora 09.00-15.00. Grupet e punës të cilët shqyrtojnë kërkesat për qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë do të kryejn takimet me subjektet kërkues cdo ditë të premten nga ora 08.00-14.00. Në rast plotësim dokumentacioni të dosjeve/praktikave përkatëse për çdo ditë tjetër që nuk i përket grupit të punës në ditën e përcaktuar sa më lart, mund t`i depozitojë pranë Sektorit të Mardhënieve me Publikun ose më postë. Në depozitimin me postë duhet të shënohet qartë, numri, data e dosjes/praktikës si dhe emri, mbiemri i subjektit të shpronësuar, në të kundërt aktet do t`ju kthehen në adresë të subjektit. Për zbatimin e këtij urdhëri ngarkohet Përgjegjësi i Sektorit të Shqyrtimit të Kërkesave për njohje Pronësie, si dhe Drejtoria e Shërbimeve Mbështetëse”, – thotë Agjencia e Trajtimit të Pronave./ Shqiptarja.com

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne