Ishte pjesë e trupës që uli dënimin për Dritan Dajtin, shkarkohet gjyqtari Aleks Nikolli

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zhvilluar sot seancën për gjyqtarin Aleks Nikolli.

Në përfundim të hetimit kundër tij, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur ta shkarkojë.

Trupi gjykuesi i përberë nga Brunilda Bekteshi kryesuese, Olsi Komici relator dhe Lulzim Hamitaj anëtar, në seancën dëgjimore të zhvilluar tre ditë më parë që zgjati tetë orë zbuluan shkelje probleme të së shkuarës së gjyqtarit.

Gjatë hetimeve Komisioni kishte konstatuar pamundësi financiare për ndërtimin e një shtëpie trekatëshe në fshatin Ishull Shëngjin të Lezhës, ku gjyqtari Aleksi rezulton si pronar i katit të dytë me sipërfaqe 147.8 m2.

Po ashtu anëtarët e trupit ngritën dyshime për një kontratë huapërdorjeje reciproke mes gjyqtarit Aleks Nikolli dhe vëllait të tij L.Nikolli që jeton në Mbretërinë e Bashkuar prej më shumë se dy dekadash, lidhur me një apartament të këtij fundit në qytetin e Lezhës dhe shtëpisë së subjektit dhe tokës në fshatin Ishull-Lezhë.

Por problemet e Nikollit nuk mbaruan me kaq, pasi kundër tij u vërejtën dhe shkelje dhe dyshime për veprime fiktive lidhur me blerjen dhe shitjen e një njësie shërbimi 12 m2 në qytetin e Lezhës,. Nga hetimi ka rezultuar se Nikolli e ka blerë këtë pasuri në vitin 2008 për vlerën 1.2 milionë lekë dhe i’a ka shitur në shumën 3.2 milionë lekë vjehrrit të ardhshëm në vitin 2009.

Kush është Aleks Nikolli?

Nikolli është diplomuar për drejtësi në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër dhe nga viti 2001 deri në vitin 2004 ai ka mbaruar studimet në shkollën e Magjistraturës. Në vitin 2015, Nikolli ka marrë titullin “Doktor shkencash” në Universitetin Europian të Tiranës.

Nga viti 2004 deri në vitin 2016 ka shërbyer si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe nga viti 2016 si gjyqtar në Gjykatën e Apelit Shkodër.

Në vitin 2019, Nikolli u vu nën hetim për korrupsion nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda, si një nga tre gjyqtarët që vendosi zbutjen e dënimit të Dritan Dajtit- i dënuar për vrasjen e katër policëve, Dëshmorë të Atdheut./Tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne