ISIS kërcënon Vatikanin

Grupi terrorist ISIS ka kërcënuar Vatikanin me kryerjen e akteve terroriste gjatë festave të krishtlindjes.

Me afrimin e festave të krishtlindjes, grupi terrorist ISIS ka kërcënuar se do të kryejë akte kundër Vatikanit. Departamenti i Shtetit i ka këshilluar qytetarët amerikanë të tregohen mjaft të kujdesshëm me udhëtimin në Evropë gjatë periudhës së krishtlindjeve. Uashingtoni ka dalë me një paralajmërim të tillë pas serisë së sulmeve të këtij viti që kanë marrë jetë njerëzish dhe kanë hedhur hijen e terrorit mbi kontinentin e vjetër. Frika se ekstremistët mund të godasin përsëri gjatë sezonit festiv vazhdon të mbetet e pranishme. Shtypi në Mbretërinë e Bashkuar shkruan se ky njoftim vjen në kohën kur shërbimet vendase të sigurisë janë në gjendje alarmi dhe prania policore në tregjet e kërshëndellave është shtuar ndjeshëm, edhe pse nuk flitet për ndonjë kërcënim specifik. Britania u prek sivjet nga një valë sulmesh terroriste, përfshirë atë të urës së Londrës, e niveli aktual i rrezikut vazhdon të mbetet i lartë, çka do të thotë se gjasat për episod të ri dhune janë të mëdha, por nuk pritet të ndodhë së shpejti. Shtetet e Bashkuara të Amerikës lëshojnë shpesh paralajmërime për qytetarët e tyre që t’i ruhen sulmeve ekstremiste në Evropë. Më i fundit prej tyre kujton incidentin në tregun e krishtlindjeve të 2016-tës në Berlin ku vdiqën 12 vetë dhe masakrën në një klub nate të Stambollit, në vigjiljen e vitit të ri, që la pas 39 te vdekur. Sipas DASH, sulmet në Britani, Finlandë, Francë, Rusi, Spanjë e Suedi tregojnë se si ISIS-i, ashtu edhe Al Kaida vazhdojnë të mbeten aktive e të aftë për goditje.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne