Bota

Islami në vendin e Mayanëve të lashtë. Mbi 5500 banorë pranojnë Islamin

Që nga viti 1989, të paktën 5.500 meksikanë e kanë pranuar fenë islame në shtetin jugor meksikan Chiapas. Kjo është shumë e rëndësishme në një kohë kur islamofobia është në rritje dhe muslimanët lidhen rrejshëm me grupet terroriste.

Chiapas ndodhet në Jug të Meksikës, në kufi me Guatemalën, Amerikën Qendrore, Vera Cruz-en dhe Tabasco-n.

Në dekadën e fundit, numri i muslimanëve në Meksikë është rritur në mënyrë eksponenciale, pasi që shumë meksikanë po e përqafojnë Islamin dhe mesazhin e tij të paqes dhe bashkëjetesës.

Ardhja e emigrantëve muslimanë nga Libani, Siria dhe madje edhe muslimanët sufi nga Spanja, ka çuar në përhapjen e mesazhit të Islamit në të gjithë Meksikën, raporton Muslim Vibe.

Një nga qendrat më tërheqëse urbane muslimane u themelua në një fshat në Chiapasin jugor, zemrën e Mayanëve autoktonë, të cilët identifikohen si katolikë romakë. Një numër në rritje i meksikanëve po konvertohen në Islam në këtë fshat që ndodhet afër San Cristobal de las Casas, i cili identifikohet si komuniteti autokton Tzotzil.

Fjala “Tzotzil”, gjoja do të thotë “populli i lakuriqëve” në gjuhën amtare të Tzotzil. Me një popullsi më të vogël se 300,000 banorë, komuniteti Tzotzil përfaqëson një nga fortesat e fundit të mbetura të pasardhësve të Perandorisë antike Mayane.

Muslimanët stilin e jetës së tyre autoktone e kanë përzier me zakonet e përcaktuara nga Islami, duke përfshirë shamitë tradicionale të Mayanëve për gratë dhe kapelën e bardhë për burrat.

“Unë dua ta flas gjuhën time, dua ta vesh veshjen amtare, por gjithashtu dua të besoj në Allahun”, ka deklaruar njëri nga muslimanët atje.

Meksikanët e përqafojnë Islamin sepse i thekson aspektet më të bukura të kulturës dhe moralit meksikan. “Njerëzit na shikonin çuditërisht kur e përqafuam Islamin, ata menduan se ne jemi terroristë dhe kishin frikë nga ne. Por me kalimin e kohës dhe me veprimet tona, ky mendim ka ndryshuar”, – ka thënë një tjetër anëtar musliman i këtij komuniteti.

Islami, së bashku me besimet tradicionale mayane, katolicizmin romak nën ndikimin e Spanjës dhe të feve tjera të ndryshme indigjene bashkëjetojnë paqësisht në qytet. Kjo sixhade shumëngjyrëshe dëshmon për fuqinë e diversitetit.

Përkthim: Miftar Ajdini/ Islampress.ch

OPINIONE