Islamofobi Kastriot Myftaraj kallëzon penalisht në Prokurori ndërtuesit e memorialit turk

Islamofobi Kastriot Myftaraj që në fillim ka qenë kundër memorialit turk në Tiranë, dhe këtë e ka shprehur nëpërmjet shkrimeve te shpeshta në profilin e tij.

Myftaraj shkruan se këtë herë e ka çuar edhe më tej kundërshtinë e tij pasi ka bërë një kallzim penal në prokurori për personat përgjegjës për vendosjen e kësaj përmendore për të vrarët e njërës palë në luftimet e 15 korrikut në Turqi, si dhe për emërtimin e njëjtë të një rruge dhe një sheshi në Tiranë.

Ja kallëzimi penal i Kastriot Myftaraj:

I kam derguar Prokurorise se Rrethit Gjyqesor Tirane nje kallzim penal per personat pergjegjes per vendosjen ne Tirane te permendores per te vraret e njeres pale ne luftimet e 15 korrikut ne Turqi, si dhe per emertimin e njejte te nje rruge dhe nje sheshi ne Tirane. Me poshte teksti i plote i kallzimit penal:

KALLZIM PENAL

Kallzuesi: Kastriot Myftaraj, i datëlindjes 2.10.1966, lindur në Korçë, banues në Tiranë

Të kallzuar:
-Personat përgjegjës për vendim-marrjen mbi vendosjen në Tiranë, në 15.07.2019, të përmendores për të vrarët e njërës pale, gjatë luftimeve të 15-16.07.2016 në Turqi.
-Personat zyrtarë përgjegjës të cilët në vitin 2019 kanë emërtuar një rrugë në Tiranë: “Rruga e Dëshmorëve të 15 korrikut”.
-Personat përgjegjës të cilët në vitin 2019 kanë emërtuar një pjesë të Parkut të Madh të Tiranës: Parku i Demokracisë “15 korriku”

Objekti penal:
1) Vënia në shërbim të shteteve të huaja
2) “Shpërndarja e shkrimeve antikushtetuese”
3) Thirrja për pjesëmarrje në veprime luftarake të dhunshme në një shtet të huaj

Baza ligjore penale:
Nenet 218, 225, 265/c të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë
Nenet 280, 283 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë

Drejtuar: Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë

Cilësimi i kallzuesit
Në cilësinë e gazetarit hulumtues, por dhe të qytetarit të përgjegjshëm për detyrimet e tij ligjore, po i drejtohem kësaj zyre shtetërore të hetimit dhe akuzës me këtë kallzim penal.

Rrethanat e Faktit
Në 15.07.2019 në Parkun e Madh të qytetit të Tiranës u zbulua, me një ceremoni zyrtare, një përmendore kushtuar të vrarëve të njërës palë gjatë luftimeve të natës së 15-16.07.2016 në Turqi. Në ceremoni mori pjesë Ambasadori i Turqisë në Shqipëri dhe zyrtarë shqiptarë të niveleve të ndryshme, nga të cilët një nënkryetar i Bashkisë së Tiranës ishte folës në ceremoni. E gjithë ceremonia u sigurua nga forca të Policisë së Shtetit dhe Policisë së Bashkisë së Tiranës. Policia e Shtetit dhe ajo e Bashkisë së Tiranës e kanë marrë nën mbrojtje përmendoren që prej asaj dite, gjë që u duk qartë nga prania e madhe policore me rastin e një proteste që u mbajt në vendndodhjen e saj në 20.08.2019.
Me rastin e vendosjes së përmendores u bë e ditur se një rrugë në Tiranë është emërtuar “Rruga e Dëshmorëve të 15 korrikut”, ndërsa një pjesë e Parkut të Madh të Tiranës është emërtuar Parku i Demokracisë “15 korriku”.
Përmendorja e ngritur në Tiranë përmban emrat e 251 të vrarëve të njërës palë në ngjarjet e 15-16.07.2016 në Turqi. Ngritja e përmendores i jep versionit zyrtar turk të ngjarjes së 15-16.07.2016 një simbolikë të tillë zyrtare në vendin tonë, që bie ndesh me Kushtetutën në fuqi në vendin tonë dhe ligjet penale të prejardhura prej saj.
Nga 251 emrat e të vrarëve që bart përmendorja e ngritur në Tiranë, veç 27%, përkatësisht 68 vetë janë policë dhe ushtarë. Saktësisht 62 policë dhe 6 ushtarë.
73%, përkatësisht 183 vetë, janë civilë. Në çdo vend të botës demokratike, kur nderohen të rënët nga një grusht shteti nuk përzihen bashkë të vrarët ushtarakë dhe ata civilë, duke u quajtur të gjithë dëshmorë. (shehitë turq.) Në çdo vend demokratik të botës, dëshmorë quhen veç ushtarët dhe policët, ndërsa civilët quhen viktima.
Pse civilët turq të 15.07.2016 dallonin nga ata të vendeve të tjera në rast grushti shteti?
Dallimi është se civilët e vrarë në 15.07.206 në Turqi u vranë duke i sulmuan forcat ushtarake që po kryenin grushtin e shtetit, nuk u sulmuan prej tyre, me ç’ rast do të ishin viktima. Askush nga autoritetet shtetërore nuk iu bëri thirrje civilëve që të dalin në rrugë dhe të sulmojnë forcat ushtarake që po kryenin grushtin e shtetit. Në të vetmen thirrje që bëri Presidenti Erdogan, ai i kërkoi popullit që të dalë në rrugë, por pa kërkuar që të sulmohen ushtarakët.
Në 15.07.2016 korrik në Turqi u bë një thirrje e posaçme që popullsia civile të ngrihet në luftë në mbrojtje të Presidentit Erdogan. Kjo thirrje nuk u bë nga autoritetet shtetërore por nga imamët e xhamive nëpërmjet megafonëve të minareve. Kjo thirrje nuk iu bë qytetarëve por besimtarëve muslimanë praktikues të fees islame. Civilët e vrarë dhe turmat ku ata bënin pjesë, u ngritën për të luftuar në mbrojtje të Presidentit Erdogan, me thirrjen që iu bënë imamët e 85 mijë xhamive të Turqisë, nëpërmjet megafonëve të minareve. Deri më sot në Turqi nuk është bërë asnjë hetim për përmbajtjen e këtyre thirrjeve nga minaret, të cilat bien ndesh me Kushtetutën e Turqisë, për vetë faktin që kandodhur, pavarësisht përmbajtjes. Hetimet janë bërë absolutisht të njëanshme.
Thirrja e imamëve nga minaret u kërkonte besimtarëve muslimanë që të dilnin në rrugë dhe sheshe për të luftuar kundër armiqve të Allahut dhe të Islamit në mbrojtje të Presidentit Erdogan. Me këtë rast, megafonët e minareve shpërndanë sure për luftën e shenjtë të muslimanëve kundër armiqve të Islamit. Dhe turmat e ngarkuara me urrejtje fetare iu prenë kokat ushtarëve, njëjtë siç bënin militantët e ISIS. Civilët e vrarë dhe turmat ku ata bënin pjesë ishin besimtarë muslimanë praktikues.
Turqia është një vend ku 98% e popullsisë janë muslimanë, por kjo shifër nuk tregon numrin e praktikuesve të fesë islame që është më i vogël. Sipas Kushtetutës në fuqi, Turqia është një shtet laik, ku nuk fe zyrtare. Në 15 korrik 2016, Turqia u shfaq para botës si një vend ku tashmë ishte instaluar në praktikë një regjim i Islamit politik. Dhe bashkimi në një përmendore i emrave të të vrarëve të 15 korrikut 2016, qofshin ushtarakë, policë ose paramilitarëve islamikë është tregues i qartë i instalimit të regjimit islamik në Turqi, duke u bërë Islami praktikisht feja zyrtare e shtetit.
Në ngjarjet e 15-16.07.2016 në Turqi pati një përzierje aktive të fesë në mbështetje të njërës palë në një konflikt civil brenda një shteti që në letër është laik.
Në natën e 15-16.07.2016, sipas versionit zyrtar shtetëror turk, në këtë vend ndodhi një përpjekje e dështuar e një pjese të Forcave të Armatosura të këtij vendi për të larguar nga pushteti me dhunë Presidentin Erdogan dhe partinë e tij. Por, ngjarjet e 15-16.07.2016 në Turqi kishin edhe një përmasë më të thellë duke qenë një konflikt i brendshëm i shtetit dhe i shoqërisë turke, në të cilin vendi ynë nuk ka arsye përse të përzihet në këtë mënyrë duke ngritur përmendore dhe duke emërtuar rrugë e sheshe me to.
Përmendorja, emërtimi i rrugës dhe i parkut si më sipër, krijojnë në vendin tonë një simbolikë që cënon rëndë një shtyllë të rendit tonë kushtetues që është parimi kushtetues i Laicizmit. (Sekularizmit)
Përmendorja, emërtimi i rrugës dhe i parkut si më sipër, përmbajnë një simbolikë që nxit përmbysjen e rendit kushtetues në fuqi në Shqipëri, sa i përket përbërëses themelore laike të tij.
Kur në një vend, siç është rasti tani në Shqipëri, me vendim të autoriteteve zyrtare të tij, ngrihet një përmendore, si dhe emërtohen rrugë e sheshe për të përkujtuar njerëz që janë vrarë në një ngjarje politiko-ushtarake të ndodhur në një vend tjetër, kemi të bëjmë me ofrimin e një shembulli sjelljeje për shoqërinë tonë, për njerëzit tanë, të cilëve iu paraqitet si shembull pozitiv veprimi i atyre që u vranë në Turqi në ngjarjet e natës së 15-16.07.2016.
Në këtë pikëpamje, çdo përmendore, emërtim rruge dhe sheshi përbën një thirrje publike që sjellja e atyre personave që lavdërohen në të të shërbejë si shembull që duhet ndjekur për njerëzit e vendit ku vendoset përmendorja.
Duke pasur parasysh rrethanat e faktit të paraqitura më lart, e gjej të nëvojshme të tërheq vëmendjen e Prokurorisë që të kryejë hetime mbi ekzistencën e faktit penal dhe mbi bazën e tij të veprave penale të mëposhtme:
1) Shpërndarja e shkrimeve antikushtetuese
2) Thirrja për pjesëmarrje në veprime luftarake të dhunshme në një shtet të huaj
3) Vënia në shërbim të shteteve të huaja

E drejta e zbatueshme
Neni 10 i Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë:
“Në Republikën e Shqipërisë nuk ka fe zyrtare.”

Neni 218 i Kodit Penal
Vënia në shërbim të shteteve të huaja
Vënia në shërbim të një shteti apo një fuqie të huaj të çdo shtetasi shqiptar, me qëllim kryerjen e veprave kundër pavarësisë dhe integritetit të Republikës së Shqipërisë, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.

Neni 225 i Kodit Penal, paragrafi i dytë:
“Shpërndarja e shkrimeve antikushtetuese”
“Shpërndarja apo futja e materialeve, shkrimeve apo simboleve nga jashtë në Republikën e Shqipërisë, të cilat synojnë përmbysjen e rendit kushtetues a cenimin e tërësisë tokësore të vendit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.”

Neni 265/c i Kodit Penal
Thirrja për pjesëmarrje në veprime luftarake të dhunshme në një shtet të huaj
“Thirrja në mënyrë publike me çdo lloj forme, mjeti dhe mënyre për të kryer veprën penale të parashikuar nga neni 265/a ose 265/b, dënohet me burgim deri në tre vjet.”

Analiza ligjore e faktit dhe e rrethanave të tij
Në Nenin 10 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë është sanksionuar Laiciteti i shtetit, si dhe është saktësuar, si pjesë e këtij parimi, se në shtetin tonë nuk ka fe zyrtare. Kjo do të thotë se asnjë fe nuk mund të marrë një status të posaçëm në marrëdhënie me shtetin.
Laicizmi përbën një shtyllë të rendit tonë kushtetues, me ndikim në të gjithë legjislacionin tonë, në kuptimin që në legjislacionin tonë nuk ka ndikime fetare. Cënimi i Laicizmit në një fushë, sa i përket përmendoreve dhe emërtimeve publike, krijon prirjen për cënimin në fusha të tjera. Kështu krijohet rreziku i përmbysjes pa dhunë të rendit tonë kushtetues dhe zëvendësimin e tij me rendin kushtetues të një shteti fetar. Ky rrezik ekziston kur një feje i jepet në ndonjëfarë mënyre statusi i fesë zyrtare të shtetit.
Në një analizë ligjore të ngjarjeve të 15-16 korrikut 2016 në Turqi mund të thuhet se, nga pikëpamja zgjedhore, pushteti i Presidentit Erdogan dhe i partisë së tij ishte procedurialisht legjitim, por ky pushtet ishte duke shkelur dukshëm çdo ditë Nenin 24 të Kushtetutës së Turqisë, paragrafi i katërt i cili mbron laicizmin në këtë vend: Paragrafi i katërt i këtij neni thotë:
“Askush nuk do të lejohet që të shfrytëzojë ose të shpërdorojë fenë, ndjenjat fetare, ose gjëra që mbahen të shenjta nga feja, në një mënyrë të çfarëdollojshme për qëllime personale ose interesa dhe ndikim politik, ose madje për ta bazuar pjesërisht themelet e rendit shoqëror, ekonomik, politik dhe ligjor të shtetit në parime fetare.”
Presidenti turk Erdogan dhe ministrat e qeverisë turke haptazi kryenin, para 15 korrikut 2016 dhe pas tij rite fetare islamike në ngjarje publike zyrtare kur marrin pjesë si zyrtarë të lartë shtetërorë.
183 civilët emrat e civilëve të cilëve gjenden në përmendore ishin mbështetës entuziastë të shkeljes së parimit kushtetues të laicizmit nga pushteti i Erdoganit. Ata donin shtetin fetar me Islamin fe zyrtare. Dhe pas 15 korrikut 2016 Islami është praktikisht fe zyrtare në Turqi.
Në Shqipëri, pushteti ligjvënës ka menduar dhe sanksionuar mbrojtjen e rendit kushtetues në Republikën tonë me disa dispozita të Kodit Penal, ndër të cilat është dhe Neni 225, që parashikon veprën penale “Shpërndarja e shkrimeve antikushtetuese”, paragrafi i dytë, që thotë:
“Shpërndarja apo futja e materialeve, shkrimeve apo simboleve nga jashtë në Republikën e Shqipërisë, të cilat synojnë përmbysjen e rendit kushtetues a cenimin e tërësisë tokësore të vendit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.”
Në rastin e përmendores për të vrarët e njërës palë, të ngjarjeve të 14 korrikut 2016 në Turqi, ky objekt mund të kategorizohet në të tre rastet e parashikuar nga dispozita e mësipërme dhe që janë “shkrim”,“material” dhe “simbol”.
Vetë përmendorja është një pllakë që përmban shkrime. Por përmendorja, në përmbajtjen e saj, është gjithashtu një material dhe simbol i sjellë nga jashtë Shqipërisë.
Të vrarët e 15 korrikut shihen si një simbol në Turqi dhe si të tillë janë futur në Shqipëri nëpërmjet përmendores. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për emërtimin e rrugës dhe të sheshit. Vetë data “15 korrik” përbën tashmë një simbol në Turqi.
Në nenin 225, me përdorimin e fjalës “synim” [për përmbysjen e rendit kushtetues] kërkohet që të vërtetohet se autori ose autorët e mundshëm kanë vepruar me dashje. “Dashja” si element i veprës penale, është përcaktuar, si e drejtpërdrejtë dhe e tërthortë në Nenin 15 të Kodit Penal ku thuhet:
“Vepra penale kryhet me dashje, kur personi i parashikon pasojat e veprës penale dhe dëshiron ardhjen e tyre ose, megjithëse i parashikon dhe nuk i dëshiron ato, me ndërgjegje lejon ardhjen e tyre.”
Në rastin e nenit 225 kërkohet dashja e drejtpërdrejtë, pra kur personi ose personat i parashikojnë pasojat dhe e dëshirojnë ardhjen e tyre. Nëse personat përgjegjës kanë vepruar me dashje të drejtpërdrejtë ose jo, kjo është një gjë që duhet të dalë nga hetimet që duhet të bëjë Prokuroria.
Mbi personat përgjegjës për vendim-marrjen për përmendoren përkatëse dhe emërtimin përkatës të rrugës dhe sheshit, duhen bërë hetime për të parë nëse kanë kryer edhe veprën penale “Thirrja për pjesëmarrje në veprime luftarake të dhunshme në një shtet të huaj”, të parashikuar nga Neni 265/c i Kodit Penal.
Në këtë dispozitë ligjvënësi ndalon thirrjen në cfarëdolloj forme, që do të thotë se si thirrje mund të quhet edhe një simbolikë si përmendorja ose një emërtim rruge dhe sheshi në nder të atyre që u ngritën mbi thirrjen e imamëve nga minaret.
Konflikti në Turqi mes laikëve dhe islamikëve politikë, që shpërtheu në korrik 2016, mbetet i hapur dhe në të ardhmen mund të shpërthejë përsëri në cdo kohë. Sipas nenit 265/a të Kodit Penal “Pjesëmarrja në veprime luftarake në një shtet të huaj” personat që do të nisen si vullentarë nga Shqipëria për të marrë pjesë në këtë luftë duhet të arrestohen dhe të dënohen nga agjencitë ligjzbatuese të shtetit shqiptar. E njëjta gjë duhet të bëhet edhe me imamët të cilët eventualisht do të bëjnë thirrje që besimtarët muslimanë të marrin pjesë si vullnetarë në këtë luftë?
Përmendorja dhe emërtimi përkatës i rrugës dhe sheshit përbëjnë thirrje për pjesëmarrje në veprime luftarake të dhunshme në shtete të huaja, jo vetëm në Turqi por edhe në vende të tjera.
Në Shqipëri nuk mund të ekzistojnë të dyja, edhe përmendorja dhe rruga e sheshi përkatës, edhe persona të dënuar sipas nenit 265/a të Kodit Penal.
Mbi përmendoren dhe emërtimin përkatës të rrugës dhe sheshit duhen bërë hetime nëse përbëjnë vepër penale edhe sipas nenit 218 të Kodit Penal që dënon “Vënien në shërbim të shteteve të huaja”, në dëm të pavarësisë dhe integritetit të Republikës së Shqipërisë.
Përmendorja dhe emërtimet e rrugës dhe sheshit përkatës cënojnë pavarësinë dhe integritetin e Republikës së Shqipërisë, në kuptimin që e bëjnë vendin tonë pjesë e konflikteve të brendshme politiko-fetare të Turqisë, që nuk kanë asnjë lidhje me vendin tonë. Shkurt, Shqipëria vetëparaqitet sikur të jetë provincë e Turqisë.
Integriteti i një shteti përbëhet nga ekzistenca në realitet e parimeve kushtetuese të tij. Në këtë kuptim, integriteti i Republikës sonë cënohet nga cënimi i Laicizmit si parim kushtetues themelor, gjë që është bërë nga përmendorja dhe emërtimi përkatës i rrugës dhe sheshit.
Vendim-marrja për përmendoren dhe për emërtimin e rrugës dhe sheshit është bërë nga njerëz që kanë, si njohuritë e nevojshme për të kuptuar pasojat e këtyre lloj veprimeve, ashtu edhe përgjegjësitë zyrtare për të mos lejuar ardhjen e tyre. Si përmendorja, ashtu dhe emërtimi i rrugës dhe sheshit nuk mund të bëhet pa miratimin e së paku dy ministrive, asaj të Punëve të Jashtme dhe asaj të Kulturës, përveç lejes së Bashkisë së Tiranës.
Çështja e përmendores dhe e emërtimit përkatës të rrugës dhe sheshit bartin ndërlikime të mëdha në të ardhmen për rendin tonë kushtetues, shtetin dhe shoqërinë tonë, duke qenë se legjitimojnë luftën fetare, për kontrollin e shtetit nga ana e një feje.
Historia jonë na tregon se tolerimi i cënuesve të Laicizmit ka sjellë pasoja shumë të rënda deri në rënien e shtetit nën kontrollin e radikalëve islamikë si në vitin 1914. Historia jonë gjithashtu na tregon se në mungesë të veprimit të agjencive ligjzbatuese shtetërore, janë legjitimuar forca jashtëinstitucionale, me vetëdije dhe përgjegjshmëri kushtetuese që kanë mbrojtur rendin kushtetues dhe posaçërisht përbërësin laik të tij, në rrethana të tilla. Sot jemi në një rrethanë kur pritet reagimi i institucioneve të ngarkuar me ligj për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe të Laicizmit si përbërës së tij. Mosreagimi institucional krijon një vacuum të rrezikshëm në mbrojtjen e rendit kushtetues që detyrimisht do të mbushet nga forca shoqërore jashtëinstitucionale me vetëdije dhe përgjegjshmëri të lartë kushtetuese.
Për sa më sipër, i kërkoj Prokurorisë së Tiranës që të nisë hetimet ndaj personave përgjegjës për vendim-marrjen mbi përmendoren, si dhe emërtimin përkatës të rrugës dhe sheshit, për të parë nëse me këtë akt janë kryer veprat penale të mësipërme, ose të tjera që do të dalin gjatë hetimeve.
Për gjithçka sa kam thënë më lart, duke përfshirë edhe zhvillimet në Turqi, jam në gjendje dhe i gatshëm që të ofroj prova, madje edhe filmike, që në rastin më të parë që do të pyetem gjatë zhvillimit të hetimeve.

Kastriot Myftaraj

/gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne