Islamofobia

Latif Mustafa

Islamofobia, sado që si koncept i ri të duket, rrënjët e saj, gjegjësisht formësimet më primitive të saj kanë të bëjnë me dy sëmundjet më të vjetra njerëzore: me frikën dhe urrejtjen. Domethënia e islamofobisë, në një plan më të gjerë, ka të bëjë me perceptimin e të gjitha formave dhe mundësive të trupëzimit të fesë islame, gjegjësisht me frikën dhe urrejtjen ndaj të gjitha projeksioneve individuale dhe kolektive të myslimanit në botën moderne dhe historicitetit shumëplanësh të Islamit. Islamofobia është lloj i familjes së ksenofobisë dhe ajo paraqitet në formën individuale psikike si neurozë dhe në formën e një strukture epistemologjike, gjegjësisht si një modus operandi i mainstream-it mediatik, politik dhe, deri diku, kulturor perëndimor.

Islamofobia është diferencim dhe distancim i vetëprojektimit madje, rrënjët e së cilës shtrihen në pararendësen e orientalizmit dhe projeksionit për “Orientin” e paqenë. Nuk mungojnë rastet kur fenomeni i islamofobisë, mbase, instrumentalizohet nga grupet dhe elitat e margjinalizuara intelektuale myslimane për vetaktualizim, legjitimim të ndonjë kauze të caktuar dhe për t’i mbuluar detyrimet dhe nënshtrimin e dështuar qytetar në përmbushjen e detyrave elementare qytetare. Megjithatë, këto raste janë minore dhe rrallë të sipërfaqshme.

Ksenofobia, gjegjësisht islamofobia, sot, është kriteri kryesor i vetëdefinimit të së djathtës ekstreme europiane dhe frika e ndërvetëdijshme e sulmeve terroriste në perëndim. Këto dy fenomene sot përbëjnë axis mundi midis terrorit psikik dhe terrorit trupor. Por, në rastin shqiptar, islomofobia dhe albanofobia kanë një formë simbioze dhe korrelative të zhvillimit dhe shpërfaqjes. Akoma të freskëta i kemi pamjet e filmit “Taken”, ku i riu shqiptar me emër katoliku, me mbiemër myslimani dhe me tatuazh të simbolit turk në duar, është koka e trafikimit njerëzor dhe linku që, përmes labirinteve të sigurisë franceze, ishte në shërbim të një “sheiku” imagjinar nga Lindja e Mesme. Pjesë e mozaikut islamofobik, përpos prejardhjes racore dhe identitare, edhe dhuna, seksizmi dhe krimi përbëjnë pjesën plotësuese të misteriozitetit potencial.

Në këtë sfond nuk mund të mund të përjashtojmë as djegiet e xhamive gjatë periudhës së luftës në Kosovë, djegien e xhamive në Serbi gjatë trazirave të vitit 2004 në Kosovë, si dhe djegien e xhamisë së Prilepit gjatë konfliktit të vitit 2001 në Maqedoni. Të gjitha këto dhe raste të tjera dëshmojnë për një korrelacion të pakthyeshëm midis narracionit ksenofobik ndaj shqiptarit dhe strukturës së përgjithshme globale epistemologjike, që nuk heziton të ketë prirjen e shënimit e identitetit shqiptar përmes shënjuesit islam.

Kjo dysi dinamike dhe korrelative funksionon shpesh edhe brenda një paradoksi të pathënë, por po aq aktual dhe sipërfaqësor. Javët e kaluara, përmes ndihmës amerikane, një kontingjent shqiptarësh nga Kosova që kishin luftuar në Siri, u kthyen në Kosovë. Gjëja e parë që u komentua ishte velloja apo burka e grave, të cilat ishin në numër të shumtë, pa ndonjë sentiment ose ndjesi për konceptimin e tyre si viktima dhe shprehjes së empatisë sonë njerëzore me ato viktima lufte. Kjo flet për diçka më shumë se një papërgjegjësi gazetarësh. Ajo rrëfen për një vetëdistancim të stisur, duke linçuar njëkohësisht palën kundruall; imponimin e elementit dhe psikozën fobike për ta ngadhënjyer natyrshmërinë e solidarizimit dhe, në përgjithësi, kompleksin inferior në të qenët shqiptar mysliman.

Paradoksi i kësaj dysie, që u përmend pak më parë, shpërfaqet si kristal në deklarimit e ministrit të Jashtëm, Enver Hoxhaj, vitin e kaluar me rastin e refuzimit të liberalizimit të vizave, duke e quajtur Europën si islamofobe dhe albanofobe. Pra, po flasim për një njeri të shkolluar në perëndim, por që në momente krize dhe legjitimi politik vendor nuk heziton ta kritikojë eurocentrizmin përmes gjykimit të Europës si islamofobe dhe, si të tillë, edhe albanofobe.

Elemente të një islamofobie të sofistikuar na paraqiten edhe nën qiellin tonë, mbase edhe më perfide dhe mirë e konstruktuar. Kjo nga shkaku se ekziston një sensis comunnis për shqiptarin e Maqedonisë si qenie e mishëruar fort në identitetin mysliman, që për shënjues të tij është disi i vetë përcaktuar. Edhe pse në thelbin e saj është mjaft orientaliste si qasje, veprimi i përcaktorëve politikë ka gjithmonë përmasa islamofobike. Këtë e dëshmon edhe ndërhyrja e fundit në Bashkësinë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut. Me gjasë duhet të jetë institucioni më i politizuar fetar, meqë ndër vitet e tranzicionit ka pasur shumë ndërhyrje në të, duke minuar edhe ato pak dinamika të brendshme që i ka pasur ky institucion. Është fobike, ngaqë struktura të ndryshme politike, vendore dhe ndërkombëtare, e shohin atë si institucion potencial me rëndësi dhe vlerë të fuqishme politike, që potencialisht mund të ndërtonte një vizion dhe profil arketip të myslimanit shqiptar të Maqedonisë, e që si duket dikush ka frikë dhe urrejtje nga kjo. Por, meqë paradigma aktuale politike e qindvjeçarit të fundit ndërtohet mbi tezën e “tjetrit” të orientalizuar dhe të vetëprojektimit mbi “tjetrin” dështak, oriental dhe fisnor, në këtë koniunkturë vështirë është të mendohet për struktura alternative epistemologjike. Mbetemi aty ku jemi!/shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne