Italia refuzon emigrantët e parregullt të shpëtuar në Mesdhe

Qeveria italiane ka pranuar vetëm 10 nga 53 emigrantët e parregullt të shpëtuar në Mesdhe më 12 qershor nga një anije e organizatës joqeveritare gjermane “Sea Watch”.

Emigrantët e parregullt të shpëtuar në Mesdhe kanë shkaktuar një krizë të re ndërmjet OJQ-ve dhe Romës zyrtare.

Mësohet se 53 personat e shpëtuar nga “Sea Watch” e cila punon në mënyrë aktive kohët e fundit për shpëtimin e emigrantëve të parregullt në Mesdhe, janë duke pritur që prej 5 ditësh në brigjet e ishullit Lampeduza në jug të Italisë.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme të Italisë, Matteo Salvini, i cili është lideri i partisë së ekstremit të djathtë “Lega Nord”, e cila njihet për politikat e saj kundër emigrantëve, ka quajtur “fajtorë” anëtarët e “Sea Watch” dhe i ka akuzuar ata “për pirateri në Mesdhe”.

Në një deklaratë përmes rrjetit social “Twitter”, Salvini ka rikujtuar se sipas Dekretit të Sigurisë, miratuar në Këshillin e Ministrave, leja për hyrjen e anijeve nga Mesdheu në ujërat e Italisë jepet nga Ministria e Brendshme. Ai ka thënë se nuk lejojnë që të hyjë në portin e Lampeduzës anija me 53 emigrantë në bord.

Mësohet se dokumenti mbi ndalimin e hyrjes së anijes së “Sea Watch”, nënshkruar nga Ministria e Brendshme, është dërguar në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Transportit.

Salvini bëri të ditur se pas kontrollit të ekipit mjekësor në bordin e anijes do të nxirren në breg vetëm 10 persona, mes të cilëve gra, fëmijë dhe të sëmurë. Ai tha se 43 personat e tjerë në anije nuk do të nxirren në brigjet italiane, ndërkohë që 4 prej tyre janë të mitur dhe nuk kanë pranë tyre asnjë nga anëtarët e familjes.

Në mënyrë cinike, Salvini ka thënë për emigrantët e parregullt se “ata mund të qëndrojnë deri në vitin e ri”.

Sipas përfaqësuesve të “Sea Watch”, emigrantët e parregullt në anije kanë thënë se nuk do të rikthehen kurrë në Libi. OJQ-ja gjermane thekson se emigrantët “dëshirojnë të shkojnë në një port të sigurt”.

“Në Libi nuk ka port të sigurt. Nëse i rikthejmë këta njerëz, edhe ne do kryejmë kthimin masiv, një veprim për të cilin edhe Italia po dënohet. Libia nuk njihet ndërkombëtarisht si një port i sigurt. Këtë e ka thënë komisari i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Komisioni Evropian, Ministria e Punëve të Jashtme të Italisë dhe madje vetë ministri i Brendshëm më 25 maj”, deklaroi Giorgia Linardi, një prej zëdhënëseve të “Sea Watch”.

Sipas dekretit të miratuar nga qeveria e koalicionit në Itali, ekziston rreziku që anëtarët e “Sea Watch” të gjobiten me 10-50 mijë euro dhe anija të konfiskohet./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne