Italia rezolutë për Ballkanin Perëndimor, vlerëson reformat e Shqipërisë

Përmes një Rezolute të miratuar në 19 korrik 2019 për integrimin europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Italia vlerëson reformat e ndërmarra nga Shqipëria dhe nga Maqedonia e Veriut në prag edhe të çeljes së mundshme të negociatave, si dhe mbështet integrimin europian të Ballkanit Perëndimor.

Ambasada e Italisë në Tiranë i paraqiti Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Rezolutën për vendet e Ballkanit Perëndimor, të miratuar më 19 korrik njëzëri nga Komisioni i Punëve të Jashtme dhe Komunitare të Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Republikës italiane.

Kjo rezolutë rithekson karakterin strategjik të integrimit europian të Ballkanit Perëndimor dhe si rrjedhim domosdoshmërinë për një përshpejtim të procesit.

Përmes kësaj Rezolute, Italia angazhohet të mbështesë, në çdo forum europian dhe rajonal të gjitha nismat e dobishme për stabilizimin dhe demokratizimin e Ballkanit Perëndimor si dhe vijimin, në bazë të ekzistencës së të gjitha kushteve të nevojshme, të rrugëtimit të tyre drejt përfshirjes në institucionet euro-atlantike.

Për Italinë, Ballkani Perëndimor përfaqëson një zonë strategjike për të cilën ka interes që ta kthejë në një zonë të qëndrueshme e të sigurt.

Më poshtë Rezoluta e plotë mbi integrimin e Ballkanit Perëndimor në institucionet euro-atlantike

Komisioni III, duke patur parasysh se:

Integrimi në institucionet euro-atlantike u përcaktua nga marrëveshja e paqes e Dayton-it si një faktor i stabilizimit dhe i paqes në Ballkanin perëndimor; në Vitin 1999 BE miratoi “Paktin e stabilizim — asocimit (MSA) si dhe “Paktin e Stabilitetit” duke u transformuar në Vitin 2008 në “Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal” (CCR) me anëtarësimin e të gjitha Vendeve të rajonit;

Prej Këshillit Europian të Selanikut (2003) e në vazhdim, BE ka shprehur vendosmërinë e saj në mbështetjen e perspektivës së integrimit të vendeve të Ballkanit perëndimor; në Vitin 2018 Komisioni Europian miratoi formalisht për të parën herë “strategjinë e integrimit të Ballkanit perëndimor”;

Në vitin 2018 krerët e Shteteve të Bashkimit dhe të Ballkanit nënshkruan “Deklaratën e Sofies” e cila përcakton objektivin e dyfishtë, fuqizimin e formave të bashkëpunimit me Vendet e rajonit si dhe ndjekjen e strategjisë për përfshirjen e tyre në BE;

Duke patur parasysh se Bashkimi Europian gjatë këtyre viteve ka kryer akte domethënëse në drejtim të integrimit europian, veçanërisht të rajonit; duke pranuar në gjirin e saj katër vende të Europës Juglindore: Slloveninë (2004), Rumaninë dhe Bullgarinë (2007) dhe Kroacinë (2013); duke çelur negociatat për anëtarësim me Malin e Zi (2012) dhe me Serbinë (2012); duke i njohur statusin e vendit kandidat FYROM-it, (sot Maqedonia e Veriut) (2005) dhe Shqipërisë (2012).

duke patur parasysh faktin se Këshilli Europian do të vendosë së shpejti për çështjen e çeljes së negociatave;
duke i njohur edhe Kosovës statusin e kandidatit të mundshëm, ku vijimi i procesit të anëtarësimit varet edhe nga normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë;
Presidenti i Komisionit Europian Juncker e ka përcaktuar vitin 2025 si horizontin kohor të anëtarësimit për dy ose më shumë vende të rajonit, me kusht që të përmbushin të gjitha kriteret e përcaktuara;
duke vlerësuar pozitivisht marrëveshjen e arritur mes Greqisë dhe FYROM-it Për vënien në zbatim nga ana e kësaj të fundit të emërtimit “Maqedonia e Veriut”, kandidate e ardhshme Për anëtarësimin në NATO;
duke pasur gjithashtu parasysh se, falë një roli tashmë të njohur të Italisë, gjatë këtyre viteve janë ndërmarrë një sërë forumesh të bashkëpunimit rajonal — në mënyrë të veçantë Nisma e Europës Qendrore (InCE) — me synim nxitjen e strategjive të paraanëtarësimit dhe mbështetjen e rrugëtimit të duhur drejt integrimit europian të Ballkanit Perëndimor;
duke sjellë në vëmendje se NATO i ka hapur tashmë dyert e saj Për Rumaninë, Bullgarinë, Slloveninë, Kroacinë, Shqipërinë, Malin e Zi e, së shpejti, edhe Për Maqedoninë e Veriut, për të cilën parlamenti italian po shqyrton një projektligj përsa i përket ratifikimit dhe ekzekutimit të Protokollit të Traktatit NATO — Maqedoni e Veriut;
duke vënë në pah se, çka thekson edhe njëherë karakterin strategjik të Ballkanit perëndimor, aktorë të rëndësishëm shtetërorë, duke nisur prej Rusisë e Turqisë, po shfaqin një vëmendje më të madhe ndaj rajonit, që ndër të tjera është i përfshirë në Belt and Road Initiative, e ndërmarrë nga Kina në kuadër të formatit të bashkëpunimit 16 + 1;
Në mënyrë të veçantë, duke theksuar se:

Për Italinë, Ballkani Perëndimor përfaqëson një zonë strategjike për të cilën vendi ynë ka interes që ta kthejë në një zonë të qëndrueshme e të sigurt;

Prej vitit 1995 Italia ka dhënë kontributin e saj të rëndësishëm me anë të kontingjenteve të saj ushtarake, edhe me funksione komando, si dhe përmes politikave të bashkëpunimit në nismat për ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në rajon;

Mjaft të rëndësishme janë edhe interesat ekonomike që lidhin Italinë me Ballkanin Perëndimor, duke pasur parasysh faktin se Italia deri më sot është partneri i dytë tregtar i vendeve të rajonit, ndërsa zë vendin e parë për investimet direkte, duke siguruar një nivel të eksportimit që kap shifrën prej 6 miliard euro ndërsa janë me mijëra sipërmarrjet italiane që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në rajon;

Përgjatë territoreve të Ballkanit kalojnë flukse migratore një pjesë e të cilave ndalen në Itali çka kërkon strategji të përbashkëta të qeverive për të përballur fenomenin migrator si dhe për të luftuar migracionin e paligjshëm dhe trafikun e emigrantëve;

Një kusht i pashmangshëm për hyrjen e një vendi në Bashkimin Europian është respektimi i plotë i kritereve të Kopenhagenit e, për rrjedhojë, përshtatja me acquis communautaire;

Duke theksuar edhe një herë se integrimi në institucionet euro-atlantike kërkon që: vendet kandidate të respektojnë e t’u përmbahen me skrupulozitet kritereve të pranimit si dhe të respektohen plotësisht kushtet e vendosura paraprakisht;

Në mënyrë të veçantë të sigurojnë respektimin dhe zbatimin e standardeve ndërkombëtare në fushën e sigurisë, të kontrollit të kufijve, të luftës ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, të administrimit të fenomenit migrator si dhe të luftës ndaj migracionit të paligjshëm dhe trafikut të emigrantëve, të luftës ndaj terrorizmit dhe radikalizimit fetar;

Duke pasur parasysh kushtet e ndryshme në të cilat ndodhen vendet kandidate si dhe gjendjen e ndryshme të përparimit në rrugëtimin e tyre drejt integrimit,

Qeveria e Italisë angazhohet:

Të mbështesë, në çdo forum europian dhe rajonal të gjitha nismat e dobishme për stabilizimin dhe demokratizimin e Ballkanit Perëndimor si dhe vijimin — në bazë të ekzistencës së të gjitha kushteve të nevojshme të rrugëtimit të tyre drejt përfshirjes në institucionet euro-atlantike.
Të vijojnë me vendosmëri negociatat me Serbinë dhe Malin e Zi;
Të vlerësojë reformat e ndërmarra nga Shqipëria dhe nga Maqedonia e Veriut në prag edhe të çeljes së mundshme të negociatave;
Të inkurajojë Serbinë dhe Kosovën për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, duke nxitur arritjen e një marrëveshjeje që të mbrojë pakicat, të sigurojë lirinë e plotë të besimit për çdo besim fetar, të mbrojë pasuritë arkitektonike dhe artistike me frymëzim fetar sikurse manastiret ortodokse;
Të mbështesë nismat që synojnë forcimin e bashkëpunimit e të bashkimit, stabilizimin e plotë si dhe reformat e domosdoshme në Bosnjë Hercegovinë;
Të mbështesë në mënyrë aktive veprimtaritë që i paraprijnë anëtarësimit si dhe ato të bashkëpunimit rajonal të ndërmarra në nivel shumëpalësh, duke ofruar veçanërisht mbështetje për InCE-n ku Italia mban kryesimin e radhës për vitin 2019;
Të ndjekë nismat shumëpalëshe, ato dypalësh të bashkëpunimit ekonomik, shoqëror, kulturor e institucional të Italisë me vendet e rajonit;
Të kryejë rolin e një partneri të vëmendshëm në mbrojtje të integrimit euroatlantik të vendeve të rajonit, duke patur parasysh rëndësinë strategjike që ky proces mbart për Italinë, interesat italiane në rajon si dhe nevojën e nxitjes të sigurisë dhe të stabilitetit të Europës dhe të Mesdheut./tema

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne