Izetbegoviç: E ardhmja e Kosovës nuk duhet të ndërlidhet me atë të Bosnjës

Kryesuesi i Dhomës së Popujve të Asamblesë Parlamentare të Bosnjë e Hercegovinës (BeH) dhe kryetari i Partisë së Veprimit Demokratik (SDA), Bakir Izetbegoviç, duke iu referuar mosmarrëveshjeve aktuale në rajon ka deklaruar se zgjidhja mes Prishtinës dhe Beogradit nuk duhet të ndikojë në vendin e tij.

Izetbegoviç, i cili është lideri i partisë më të madhe boshnjake në vend, në një intervistë për Anadolu Agency (AA) foli për punimet lidhur me krijimin e qeverisë, të cilat vazhdojnë për më shumë se 10 muaj, si dhe për çështje tjera rajonale.

Nuk vjen parasysh ndërlidhja e çështjes së të ardhmes së Kosovës me atë të BeH-së

Izetbegoviç thekson se po tentohet që të ndërlidhet çështja e së ardhmes së Kosovës me atë të BeH-së, për të cilën thotë ai, “kuptohet se nuk vjen parasysh”.

“Por, ja që në politikë gjithçka është e mundur. Nëse ndonjëherë mund të ndërlidhen këto dy çështje, ky pazarllëk (polemikë) i yni në raport me Beogradin dhe Prishtinën, atëherë e përbashkëta është ajo që pala serbe në Kosovë dhe BeH ka kryer krime të ngjashme, gabime dhe mëkate të ngjashme. Dhe në fund të fundit, me këtë sjellje dhe me këtë dhunë janë shkaktuar sulmet e NATO-s. Kështu që, kjo nuk mund të ndërlidhet në asnjë mënyrë më tej në kuptimin që diçka të kompensohet në BeH, eventualisht atë që Serbia mund ta humbasë me zgjidhjen për Kosovën. Vetëm mund të lëshohemi në disa aventura të vështira dhe në skenarë shumë të paqartë. Shpresoj se do të ketë mençuri të mjaftueshme që të mos shkojmë në këtë drejtim”, tha Izetbegoviç.

Autostrada Sarajevë-Beograd 

Izetbegoviç, ndër të tjerat foli edhe për Projektin e Autostradës Sarajevë-Beograd të cilën e mbështet Turqia, ku tha se para një kohe të shkurtër ka biseduar me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe i ka transmetuar këtij se ndërtimin e autostradës planifikojnë ta fillojnë menjëherë pasi të themelohet qeveria në vend.

Siç thotë ai, ndërtimi i autostradës nënkupton punësimin e mijëra personave.

“Një tjetër shkak që të tejkalohet kriza politike është ndërtimi i kësaj autostrade, sepse ky projekt i madh është shumë i rëndësishëm për të gjithë”, u shpreh Izetbegoviç.

Krijimi i qeverisë

Duke rikujtuar marrëveshjen e koalicionit, të cilin më 5 gusht e ka nënshkruar partia e tij SDA me Bashkësinë Demokratike Kroate (HDZ) të Bosnjës dhe Aleancën e Social Demokratëve të Pavarur (SNSD), Izetbegoviç theksoi se me këtë marrëveshje janë përcaktuar principet e krijimit të qeverisë së re në nivel shtetëror.

Në lidhje me Planin Vjetor Kombëtar (ANP), i cili është një ndër hapat më të rëndësishëm për çështjen e anëtarësimit dhe procesit të anëtarësimit në NATO, të cilën e kundërshtojnë serbet e vendit, Izetbegoviç tha se, “Pa u zgjidhur çështja e Planit Vjetor Kombëtar nuk mund t’i jepet askujt detyra për krijimin e qeverisë”.

Edhe pse anëtari serb i Këshillit Presidencial të BeH-së, Milorad Dodik, ka nënshkruar në emër të partisë së tij SNSD marrëveshjen e koalicionit, ai vërehet të jetë kundër ANP-së, thotë lideri boshnjak.

“Dy pika më të rëndësishme nga procesi i anëtarësimit në NATO janë këto, pajtueshmëria me kushtetutën dhe sundimi i ligjit, nga të cilat nuk do të tërhiqemi. Nuk është e mundshme që një entitet brenda shtetit ta urdhërojë shtetin. Dodik nuk mundet të na imponojë vullnetin e tij”, tha ai. (Anadolu Agency-AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne