Izrael, deputeti arab vlerëson Erdoganin për kthimin e studentëve

Një anëtar arab i Parlamentit të Izraelit(Knesset), shprehu mirënjohje për përpjekjet e Presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, i cili rezultoi në kthimin e studentëve palestinezë, të cilët ishin bllokuar në Turqi, në mes të kufizimeve për frenimin e koronavirusit të ri(COVID-19).

Ahmad Tibi, kreu i aleancës politike të Listës së Përbashkët Arabe, kujtoi se përkundër pezullimit të fluturimeve, një aeroplan i Turkish Airlines që transportonte studentë palestinezë fluturoi nga Stambolli në aeroportin Ben Gurion në Tel Aviv.

Një video e publikuar nga zyra e Tibit tregon se si deputeti palestinez u kritikua nga anëtarët e Partisë në pushtet Likud pasi falënderoi Erdoğanin për realizimin e fluturimeve të tilla.

“Një aeroplan tjetër që transportonte djemtë tanë ateroi sonte. Kjo ishte lëvizja e dytë humanitare nga presidenti turk pas kërkesës sonë. Javën e kaluar, një aeroplan tjetër mbërriti me studentët tanë”, tha ai.

Pas kritikave nga deputetët e Likud, duke iu referuar presidentit Erdoğan, Tibi tha: “Më pëlqejnë udhëheqësit karizmatikë. Jo ata me akuza për korrupsion”, duke aluduar në kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

Ai vazhdoi duke thënë se Netanyahu “bie në gjunjë për të bërë paqe me Erdoğan”.

Pas shfaqjes në Wuhan të Kinës dhjetorin e kaluar, koronavirusi, i njohur zyrtarisht si COVID-19, është përhapur në të gjithë botën, ku aktualisht më të goditura janë Evropa dhe SHBA.

Pandemia ka marrë më shumë se 206 mijë jetë njerëzish në të gjithë botën, kurse numri i rasteve ka arritur në mbi 2.9 milionë dhe më shumë se 865 mijë të shëruar, sipas shifrave të përpiluara nga Universiteti Johns Hopkins me qendër në SHBA./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne