Izrael – Netanyahu dhe Gantz pajtohen për të formuar një qeveri “uniteti kombëtar”

Netanyahu dhe Gantz, i pari lider i Partisë “Likud” në pushtet dhe i dyti kryetar i Partisë “Blu e Bardhë” në opozitë, ranë dakord për të formuar qeverinë pas dështimeve që shkaktuan tri zgjedhje të parakohshme në një vit.

Marrëveshja u nënshkrua pasi dy politikanët arritën mirëkuptimin rreth formimit të një komiteti parlamentar për caktimin e gjyqtarëve.

Gazeta e përditshme izraelite “Yedioth Ahronoth” deklaroi se marrëveshja u nënshkrua për të formuar një qeveri uniteti kombëtar “urgjence”.

Të dy emrat në fjalë do ta kryesojnë kabinetin me radhë dhe 18 muajt e parë do t’i takojnë Netanyahut.

Izraeli është përballur me një krizë politike që nga prilli 2019, kur zgjedhjet nuk arritën të prodhojnë një koalicion qeverisës. Tri zgjedhjet pasuese ishin gjithashtu jorezultative.

Afati për të formuar një qeveri, i dhënë nga Presidenti izraelit, Reuven Rivlin, përfundoi javën e kaluar, ndërsa detyra e paraqitjes së një kandidati të ri për kryeministër i kaloi Parlamentit (Knesset).

Sipas ligjit, një anëtar i Knessetit ka 21 ditë për të formuar një qeveri me shumicë prej 61 votash.

Nëse asnjë anëtar nuk e arrin objektivin brenda afatit të caktuar me ligj, Knesseti do të shpërndahet më datë 7 maj duke bërë thirrje për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për herë të katërt deri më 4 gusht, diçka e paprecedentë në historinë e këtij vendi.

Nga ana tjetër, deputetë arabë të Parlamentit izraelit e kanë kritikuar ashpër marrëveshjen ndërmjet Netanyahut dhe Gantzit.

Duke komentuar marrëveshjen, anëtari arab i Knessetit, Ayman Odeh, kritikoi në me një postim në “Twitter” lëvizjen e Gantzit duke e quajtur kabinetin e ri një qeveri të “dorëzimit”.

Ai tha se marrëveshja e nënshkruar është “një shuplakë në fytyrën e shumicës civile që shkoi në zgjedhje shumë herë për të rrëzuar Netanyahun”.

“Gantzi nuk ishte i guximshëm për të triumfuar dhe zgjodhi të përgatitet për aneksim, racizëm dhe korrupsion”, tha Odeh.

Kurse Aida Toma Suleiman, një tjetër anëtare arabe e Knessetit, e përshkroi qeverinë e re si “kabinet i rrezikshëm i krahut të djathtë”.

“Gantz ka hyrë në [procesin politik] për të zëvendësuar Netanyahu, dhe tani ai po e mbështet atë dhe qasjen e tij raciste dhe antidemokratike”, shtoi ajo në llogarinë e saj zyrtare në rrjetin social “Twitter”.

Deputetja Suleiman u zotua se lista e përbashkët e ligjvënësve arabë do të vazhdojë të udhëheqë opozitën kundër qeverisë së re./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne