Izrael, përhapen protestat kundër Netanyahut

Mijëra njerëz në Izrael protestuan duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Benyamin Netanyahu për shkak të akuzave për korrupsion dhe dështimit të tij për të luftuar pandeminë e koronavirusit të ri (COVID-19).

Demonstratat në rrugë kundër kryeministrit Netanyahu në Izrael, vend i cili është goditur nga vala e dytë e COVID-19 dhe ku papunësia ka shkuar në mbi 20 për qind, vazhdojnë me intensitetin e plotë.

Demonstruesit dolën në rrugë për dorëheqjen e Netanyahut në qytete të ndryshme të vendit, veçanërisht në Kudsin Perëndimor dhe Tel Aviv.

Ndërkaq, në protestën në afërsi të rezidencës së Netanyahut në Kudsin Perëndimor të organizuar nga grupi i njohur si “Lëvizja e Flamujve të Zinj”, protestuesit shpesh bënin thirrje si “Bibi, kthehu në shtëpinë tënde”.

Policia mori masa të forta të sigurisë, duke bllokuar trafikun në rrugët drejt zonës së demonstratës.

Disa nga protestuesit mbanin bluza me mbishkrimin “kryeministri i krimit”, duke iu referuar Netanyahut.

Nga ana tjetër, një grup i vogël simpatizantësh të Netanyahut u mblodhën në një kundërprotestë para rezidencës së kryeministrisë për të shprehur mbështetje për kryeministrin.

Policia vendosi barrikadë midis dy grupeve për të shmangur tensionet.

Ndërkohë, sipas të dhënave që ka siguruar fotoreporteri i AA-së që ndoqi ngjarjen, një protestues është arrestuar nga policia izraelite pasi ka mbajtur flamurin e Palestinës.

Ndryshe, një protestë e organizuar të enjten në Kudsin Perëndimor nga Lëvizja e Flamujve të Zi, u përball me ndërhyrjen e policisë, e cila arrestoi pesë protestues./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne