Izraeli arrestoi 2.330 palestinezë në gjysmën e parë të vitit 2020

Forcat izraelite kanë arrestuar 2.330 palestinezë në territorin palestinez të pushtuar dhe bllokuar në gjysmën e parë të vitit 2020.

Sipas raportit të përgatitur bashkarisht nga organizatat palestineze për të drejtat e njeriut, përfshirë edhe Organizatën për Çlirimin e Palestinës (PLO) dhe Komitetin e të Burgosurve Palestinezë, forcat izraelite kanë arrestuar 2.330 palestinezë gjatë operacioneve në Kudsin Lindor dhe Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë 304 fëmijë dhe 70 gra.

Raporti thekson se disa nga palestinezët e arrestuar janë lënë të lirë pas hetimeve, ndërsa disa të tjerë janë mbajtur në burg pas daljes para gjykatës.

Në raport thuhet se aktualisht, në burgjet izraelite gjenden 4.700 palestinezë, prej të cilëve 365 nën masën e burgimit administrativ, 160 fëmijë dhe 41 gra, kurse viti 2020 është cilësuar si vit kur është rritur shkalla e ekspozimit të të burgosurve ndaj torturave.

Forcat izraelite arrestojnë palestinezët pothuajse çdo ditë gjatë bastisjeve në shtëpitë palestineze në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor, prej të cilëve disa lirohen pas hetimeve të shkurtra dhe disa dërgohen në gjykatat izraelite.

Përmes masës së quajtur “burgimi administrativ”, Izraeli privon palestinezët nga liria nga një deri në gjashtë muaj, duke u bazuar në informacione të shërbimit informativ.

Ky lloj burgimi mund të zgjatet madje deri në pesë vite me vendim të gjykatësit ushtarak pa ngritur aktakuzë, në rast se merret vendim që personi i burgosur “përbën kërcënim për sigurinë e Izraelit”./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne