Shkup, prezantohen strategjitë për funksionimin e MPB-së

Ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, bashkë me shefin e misionit të OSBE-së në Shkup, ambasadorin Clemens Koja, kanë promovuar strategjitë e përpiluara nga grupet e përbashkëta të punës.

Ministri Spasovski tha se grupet punuese kanë punuar për një vit, me qëllim të shqyrtojnë gjendjen aktuale dhe të propozojnë zgjidhje të reja në sfera si resurset njerëzore, procedurat disiplinore, komunikimi me mjedisin dhe zhvillimin e qendrës stërvitore.

“Për realizimin e projektit kemi krijuar 4 grupe pune me anëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ekspertë të angazhuar nga OSBE-ja, sindikata maqedonase e policisë dhe pas një viti pune intensive, ne kemi fituar strategji të hartuara. Sipas planit të zbatimit të projektit, nga viti i ardhshëm do të fillojë zbatimi i masave të parashikuara në planet e veprimit”, tha Spasovski.

Duke folur për sferat përkatëse për të cilat janë përpiluar strategji, ministri i Brendshëm u ndal edhe te zhvillimi i qendrës stërvitore, për të cilën tha se synohet të shndërrohet në një qendër rajonale, plotësisht të pajisur dhe digjitalizuar.

Shefi i misionit të OSBE-së në Shkup, ambasadori Clemens Koja, tha se OSBE për vite me radhë ka mbështetur profesionalizimin e policisë dhe zbatimin e parimeve demokratike, duke shtuar se kohët e fundit, mbështetja është fokusuar në reformat sistematike.

“Ekspertët e misionit tonë ndihmuan 4 grupet e punës të caktuara nga ministri Spasovski për të zhvilluar 3 strategji në fushën e menaxhimit të resurseve njerëzore, qendrës së stërvitjes policore dhe angazhimit me komunitetin dhe komunikimi. Për më tepër, ne kemi mbështetur zhvillimin dhe zbatimin e raportit të vlerësimit për procedurat disiplinore të Ministrisë. Unë besoj se kjo procedurë ishte modeli më i mirë i praktikës se si OSBE mund të mbështesë një institucion”, tha Koja.

Shefi i misionit të OSBE-së gjithashtu tha se në kuadër të projektit, brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme do të formohet komitet për vlerësimin e zbatimit të planeve të veprimit që janë rezultat i strategjive përkatëse./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne