Izraeli arreston 7 palestinezë gjatë bastisjeve në Bregun Perëndimor

Ushtarët izraelitë kanë arrestuar shtatë palestinezë në Bregun Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ushtria izraelite tha në një deklaratë se shtatë palestinezë janë arrestuar në bastisjet e organizuara gjatë orëve të natës në rajone të ndryshme të Bregut Perëndimor me pretendimin se “janë përfshirë në vepra terroriste”, pa elaboruar se për çfarë vepra bëhet fjalë.

Palestinezët e arrestuar janë dërguar në qendrën e arrestit në rajon, thuhet në deklaratën e ushtrisë.

Forcat izraelite rregullisht kryejnë bastisje në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor të pushtuar dhe arrestojnë palestinezët me pretendime të ndryshme.

Pas arrestimeve, të cilat janë bërë të përditshme, disa nga palestinezët, përfshirë gra dhe fëmijë, mbahen me ditë të tëra nëpër qendra burgimi.

Sipas të dhënave të burimeve zyrtare palestineze, në burgjet e Izraelit ndodhen mbi 5 mijë palestinezë, përfshirë 220 fëmijë dhe 500 të mbajtur nën masën e ashtuquajtur “burgim administrativ”.

Përmes “burgimit administrativ”, Izraeli privon palestinezët nga liria nga një deri në gjashtë muaj, duke u bazuar në informacione të shërbimit informativ. Ky lloj burgimi mund të zgjatet madje deri në 5 vite me vendim të gjykatësit ushtarak pa ngritur aktakuzë, në rast se merret vendim që personi i burgosur “përbën kërcënim për sigurinë e Izraelit”./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne