Izraeli arreston një klerik mysliman në Jeruzalem

Policia izraelite e ka arrestuar sot në Jerusalem një klerik mysliman. Arrestimi i tij u bë dy ditë pas rihapjes së një xhamie, e cila ishte mbyllur nga Izraeli në vitin 2003.

Sheikh Abdel-Azeem Salhab, i cili është anëtar i këshillit islamik të Jordanisë për mbikëqyrje të objekteve islame në Jerusalem, i kishte hapur personalisht dyert e xhamisë “Bab al-Rahmeh”, ndërsa qindra besimtarë kishin hyrë brenda për t’u lutur për herë të parë pas 15 vjetësh.

Hapja e xhamisë erdhi pas tensioneve që zgjatën disa ditë mes policisë izraelite dhe autoriteteve fetare të myslimanëve për shkak të kontestimit të një hapësire mes çifutëve dhe myslimanëve. Gjatë lutjeve të së premtes policia i arrestoi 60 persona që dyshoheshin se mund të shkaktojnë dhunë.

Zëdhënësi i policisë, Micky Rosenfeld, ka thënë se prijësi Salhab dhe një person tjetër janë arrestuar sot për shkak të shkeljes së urdhrit të autoriteteve, ndërsa ata tashmë janë duke u marrë në pyetje.

Izraeli e kishte pushtuar Jerusalemin Lindor nga Jordania në vitin 1967 gjatë luftës së Lindjes së Mesme. Statusi i qytetit ende mbetet i pazgjidhur, ndonëse izraelitet dhe palestinezët kanë zhvilluar disa herë negociata për këtë çështje, shkruan “Reuters”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne