Izraeli dhe Bahreini do të nënshkruajnë marrëveshje për marrëdhëniet diplomatike

Një delegacion i përbashkët izraelito-amerikan mbërriti sot në Bahrein për të nënshkruar disa marrëveshje të bashkëpunimit si pjesë e marrëveshjes së tyre të normalizimit të marrëdhënieve.,

“Izraeli zgjat dorën për paqe të vërtetë me popullin e Bahrainit, së bashku ne do të ndryshojmë rajonin për të mirën e popujve tanë”, tha Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Izraelit, Meir Ben-Shabbat, pas arritjes në Aeroportin Ndërkombëtar të Bahrejnit.

Sipas të përditshmes izraelite Yedioth Ahronoth, fluturimi El Al u realizua nga Aeroporti Ben Gurion në Tel Avivit deri në Manama përmes hapësirës ajrore të Arabisë Saudite.

Delegacioni izraelit pritet të nënshkruajë disa marrëveshje dypalëshe të bashkëpunimit midis Ministrive të Punëve të Jashtme të të dy vendeve, përfshirë një marrëveshje mbi lëshimin e vizave për pasaportat diplomatike së bashku me marrëveshje të tjera në fushat e tregtisë dhe komunikimit.

Delegacioni amerikan, i udhëhequr nga Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin, do të fluturojë nga Bahreini në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) për të shoqëruar një delegacion të Emirateve që do të vizitojë Izraelin të martën për të nënshkruar disa marrëveshje në fusha të ndryshme, duke përfshirë aviacionin, investimet, teknologjinë, si dhe lëshimin e vizave.

Më 15 shtator, Bahreini dhe EBA arritën marrëveshje që të krijojnë marrëdhënie të plota diplomatike, kulturore dhe tregtare me Izraelin pasi nënshkruan marrëveshjen e diskutueshme në Shtëpinë e Bardhë.

Marrëveshjet kanë shkaktuar reagime nga palestinezët, të cilët thonë se ato injorojnë të drejtat e tyre dhe nuk i shërbejnë çështjes palestineze./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne