Izraeli dislokon trupat në kufirin e Rripit të Gazës

Izraeli ka filluar me dislokimin e trupave në kufirin me Rripin e Gazës para datës së 30 marsit, dita kur palestinezët shënojnë “Ditën e Tokës” çdo vit.

Tërheqin vëmendjen aktivitetet e shtuara ushtarake në anën e Izraelit përgjatë kufirit të Rripit të Gazës para të shtunës kur pritet që palestinezët të organizojnë protesta.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee në llogarinë e tij në mediat sociale postoi fotografitë e dislokimit të trupave në kufirin me Rripin e Gazës. Në këto fotografi duken një numër i madh i ushtarëve dhe tankeve izraelite të dislokuara në kufirin me Gazën.

Në mbledhjen e sigurisë të mbajtur të martën nën kryesimin e Kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu u vendos për të dërguar përforcime në kufirin me Gazën.

Pritet që të shtunën në përvjetorin e 43-të të “Ditës së Tokës” në kufirin e Gazës të organizohen protesta.

Më 30 mars 1976 Izraeli uzurpoi me mijëra dynym të tokës së palestinezëve. Populli palestinezë në këtë ditë organizoi protesta të përgjithshme për të manifestuar kundër kësaj ngjarjeje, ndërkaq si pasojë e zjarrit të hapur ndaj protestuesve nga ushtarët izraelitë ranë dëshmorë 6 palestinezë dhe u plagosën qindra të tjerë. Pas kësaj ngjarjeje palestinezët datën e 30 marsit e shpallën si “Dita e Tokës”.

Në kuadër të shënimit të përvjetorit të 42-të të Ditës së Tokës që u organizua vitin e kaluar më 30 mars, palestinezët filluan me protesta paqësore të quajtura “Marshimi i Madh i Kthimit” që u organizuan në kufirin e Rripit të Gazës së rrethuar.

Ndërkaq ushtarët izraelitë hapin zjarr me plumba luftarakë ndaj civilëve, të cilët organizojnë protesta paqësore.

Në raportin e Komisionit të Pavarur të OKB-së për Hetimet e Protestave të Gazës të vitit 2018 që u publikua më 28 shkurt thuhet se shkeljet që ushtarët e Izraelit bënë gjatë protestave paqësore të “Kthimit të Madh” të vitit të kaluar, të cilat u organizuan në kufirin e Gazës së rrethuar, mund të përfshihen në “krimet e luftës” dhe “krimet kundër njerëzimit”.

Në raport që përfshinë periudhën 30 mars, kur filluan protestat e deri më 31 dhjetor 2018, bëhet e ditur se ushtarët izraelit gjatë protestave në kufirin e Rripit të Gazës hapën zjarr qëllimisht ndaj civilëve dhe martirizuan 189 prej tyre, ndërsa kanë plagosur 6 mijë e 100 të tjerë. Në raport në mes tjerash bëhet thirrje për fillimin e hetimeve urgjente ndaj ushtarëve izraelitë, të cilët hapën zjarr ndaj palestinezëve.

Në mes tjerash në raport thuhet se shumica e civilëve të vrarë palestinezë nuk paraqisnin “kërcënim të afërt” për forcat izraelite të sigurisë, gjithashtu bëhet e ditur se 3 mijë e 98 civilë palestinezë janë plagosur me shrapnela, plumba gome dhe me bomba lotsjellëse./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne