“Izraeli duhet të lirojë të burgosurit palestinezë që përballen me masa arbitrare”

Një grup ekspertësh të Kombeve të Bashkuara (OKB) për të drejtat e njeriut i bëri thirrje Izraelit të mos diskriminojë mijëra të burgosur palestinezë që përballen me ekspozim të rrezikut të lartë ndaj koronavirusit të ri (COVID-19).

Sipas ekspertëve, gratë, fëmijët, personat e moshuar dhe ato me kushte ekzistuese mjekësore janë ndër më të prekurit.

“Aktualisht në burgjet izraelite ka mbi 4.520 të burgosur palestinezë, përfshirë 183 fëmijë, 43 gra dhe 700 të burgosur me kushte ekzistuese mjekësore. Ata mbeten të rrezikuar në kontekstin e pandemisë aktuale dhe rritjes relative të numrit të shkallës së transmetimit në Izrael”, theksuan ekspertët.

Ata po ashtu shprehën shqetësime serioze për raportet se autoritetet izraelite po pengojnë përpjekjet për të luftuar përhapjen e virusit në Kudsin Lindor.

Në një incident të raportuar, autoritetet izraelite së fundmi bastisën një klinikë testimi në lagjen me popullsi të dendur palestineze Silëan me pretekstin se pajisjet e testimit të kësaj klinike u siguruan nga Autoriteti Palestinez.

Izraeli po ashtu ka arrestuar mjekë, thanë ata.

Sipas ekspertëve, gjatë muajit të kaluar Izraeli ka liruar qindra të burgosur izraelitë si një hap parandalues dhe mbrojtës, megjithatë nuk ka zbatuar masa të njëjta për të burgosurit palestinezë.

“Kjo tregon një trajtim diskriminues ndaj të burgosurve palestinezë, që do të ishte një shkelje e ligjit ndërkombëtar”, thanë ekspertët.

Ekspertët thanë se lirimet e të burgosurve po ashtu duhet të përfshijnë ato në paraburgim administrativ dhe paraburgim para gjykimit.

“Izraeli duhet të ndërmarrë hapa për të liruar ata që përballen me masa arbitrare, si dhe grupet e cenueshme në burgjet e tij për të reduktuar mbipopullimin dhe për të siguruar kushte minimale për të parandaluar përhapjen e virusit”, shtuan ata.

Ekspertët po ashtu theksuan se që nga shpërthimi i pandemisë për të arrestuarit palestinezë ishte e ndaluar vizitat familjare dhe e kufizuar qasja te avokatët.

“Është thelbësore që çdo masë e tillë të jetë e justifikuar nga mjekësia dhe nëse është kështu, mjetet alternative për komunikim, të tilla si video-konferenca, duhet të jenë në dispozicion. Masa të posaçme dhe më të lehta duhet të zbatohen edhe për fëmijët dhe gratë për vizita”, shtuan ekspertët./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne