Bota

Izraeli, fituesi i vetëm i lojës destabilizuese të Arabisë Saudite në Lindjen e Mesme

Duke qenë një rajon plot kompleksitet, Lindja e Mesme është përballur me një varg krizash.

Zgjerimi i ISIS në Irak dhe Siri, bllokada kundër Katarit, nxitja e tensioneve sektare, agresioni kundër Jemenit, vërshimi i armëve amerikane në Lindjen e Mesme dhe kriza e fundit libaneze janë vetëm disa raste në të cilat përfshirja e Arabisë Saudite është tepër e spikatur. Me sa duket, Arabia Saudite është duke u përballur me pasojat e çmendurisë së saj dhe komploteve që ka nxitur në Lindjen e Mesme, pasi kriza është shtrirë në territorin e saj, me burgimin e disa princave sauditë. Çdo ditë, Irani akuzohet pa fakte nga Riadi për kryerjen e krimeve të ndryshme, se është përgjegjës për dorëheqjen e Saad Haririt dhe për sulmet me raketa të Huthit në Arabinë Saudite dhe se ndikon në një sërë grupesh në Lindjen e Mesme. Realiteti është se Irani nuk ka një rol me ndikim në krijimin e krizave në rajon dhe nuk kërkon të angazhohet në këto aktivitete. Megjithatë, Teherani luan një rol me ndikim në zgjidhjen e krizave rajonale dhe e bën këtë sepse këto kriza janë shkaktuar për të dëmtuar aleatët e tij. Pa petrodollarët e saj, Arabia Saudite nuk do të ishte asgjë, veçse një aleat i pabesueshëm për Perëndimin. Mrekullia e bërë nga petrodollarët, megjithatë, i ka bindur disa shtete perëndimore që të ndjekin agjendën e Riadit për të fajësuar Iranin.

Në realitet, qeveria saudite ka krijuar një diktaturë në të cilën qytetarët kurrë nuk kanë parë një kuti votimi. Kufizimi i Iranit, një vend i fuqishëm në Lindjen e Mesme, do të çonte në krijimin e një vakumi të pushtetit, i cili do të ishte i mbushur me ideologjinë e vehabizmit. Paraja dhe ideologjia janë dy elementë kryesorë dhe stimulues në Lindjen e Mesme. Ndryshe nga ajo e Arabisë Saudite, ideologjia e Iranit nuk ka çuar në formimin e grupeve barbare, bëmat e përditshme të të cilave kanë qenë vrasjet dhe masakrat. Përfshirja e vendeve perëndimore në formimin e një Lindje të Mesme të destabilizuar nuk është e vogël, pasi në katër dekadat e fundit, Perëndimi është konsultuar vazhdimisht me udhëheqësit e vendeve anti-Iran që kanë përhapur “ideologjitë Iranofobe”. Por Perëndimi duhet të ndalë ndjekjen e ideve të tilla të vjetra dhe të gabuara dhe të fillojë të gjykojë drejtësisht Iranin. Sulmet e 11 shtatorit i dhanë SHBA-ve një justifikim të përsosur për të sulmuar Afganistanin dhe Irakun. Megjithatë, me kalimin e kohës, u bë e qartë se Arabia Saudite ishte përgjegjëse për ato akte terrori. Sidoqoftë, SHBA heshti dhe nuk pranoi fajësimin e fajtorit të vërtetë për ngjarjet tragjike. Për princin e ri të kurorës së Arabisë Saudite, Muhamed bin Salman, do të ishte një ëndërr që të tjerët ta shohin vendin e tij si një fuqi hegjemoniste rajonale. Si një i papjekur, ndoshta princi i ri i kurorës mendon se krijimi i krizave në vendet rivale është thjesht një shëtitje, nga njëra anë, dhe mënyra e duhur për t’i dobësuar ato, në anën tjetër.

Prandaj, qëllimet e Arabisë Saudite janë:

1- Krijimi i krizave në rajon;
2- Imponimi i kostove për fqinjët;
3- Shpërbërja e shteteve të konsoliduara;
4- Destabilizimi i vendeve të stabilizuara;
5- Nxitja e luftës, si në Jemen; dhe
6- Kërcënimi i rivalëve.

Irani nuk është rivali i duhur për Arabinë Saudite, sepse nuk synon të hyjë në rivalitet me këtë vend të rajonit. Duke përdorur Arabinë Saudite si një instrument, Izraeli arriti të shkëpusë vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare nga kriza palestineze dhe nga përmbushja e detyrimit global që rrjedh nga zgjidhja me dy shtete, kuadri i së cilës është përcaktuar në rezolutat e OKB-së për “Zgjidhjen paqësore të çështjes së Palestinës “. Izraeli ishte një regjim i margjinalizuar midis vendeve myslimane në Lindjen e Mesme, por gjatë aventurave të Arabisë Saudite, Tel Avivi arriti të ndërtojë një aleancë me shtetin arab. Duke u bashkuar me këtë aleancë, Riadi ka preferuar të bashkëpunojë me një shtet okupator dhe arrogant që kërkon të krijojë një territor që shtrihet nga Nili në Egjipt në Eufrat në Irak. Pra, në vend që të menaxhojë krizat, Arabia Saudite është duke kryer një sulm vetëvrasës./ PT