Izraeli kthen trupat e palestinezëve që ka vrarë muajin e fundit, funerale masive në Palestinë

Mijëra vetë kanë marrë pjesë në funerale për një numër palestinezësh të vrarë nga forcat izraelite në të gjithë Bregun e pushtuar Perëndimor muajin e kaluar, pasi regjimi i Tel Avivit i ktheu trupat e tyre.

Të shtunën, disa njerëz u mblodhën jashtë Spitalit Qeveritar në qytetin e krishterë palestinez të Beit Jalas, që ndodhet 10 kilometra në jug të Jeruzalemit, ku ishte duke u shqyrtuar kufoma e Mohammad Tannuh.

Duke tundur flamurin kombëtar palestinez dhe atë të lëvizjes Fatah, vajtuesit e mbartën trupin e tij deri në qytetin Tuku, i cili ndodhet 12 kilometra në juglindje të Betlehemit.

Forcat izraelite e ndaluan kortezhin të kalonte në rrugën kryesore të qytetit, duke i detyruar njerëzit të merrnin një rrugë tjetër për në shtëpinë e Tanuhut.

Vajtuesit pastaj falën namazin, para se ta varrosnin Tanuhun në varrezat e qytetit.

Pas funeralit, mes protestuesve palestinezë dhe forcave izraelite shpërthyen përleshjet, me trupat izraelite që qëllonin me plumba të gjallë, me plumba çeliku të veshur me gomë dhe me gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Nuk pati raportime të menjëhershme të viktimave të mundshme.

Forcat ushtarake izraelite e vranë Tanuhun në Tuku më 20 korrik, gjatë një sulmi të supozuar kundër trupave izraelite. Autoritetet izraelite e kishin mbajtur trupin e tij deri të premten.

Diku tjetër në fshatin Marah Ma’alla, mijëra vajtues morën pjesë në funeralin e Abdullah Takatkës (Taqatqa).

Një paradë makinash e transportuan trupin e të vrarit 24-vjeçar palestinez nga spitali publik al-Hussein në Bethlehem drejt fshatit. Trupi u çua në familjen e tij, ku të afërmit dhe miqtë i dhanë lamtumirën e fundit.

Vajtuesit që mbanin flamuj të lëvizjeve Fatah dhe Hamas, e mbartën trupin e tij ndërsa këndonin sllogane anti-Izrael, dhe u zotuan të hakmerren për vrasjet e Takatkës dhe palestinezëve të tjerë.

Takatka u vra një javë më parë për ‘përpjekje’ për të kryer një sulm me thikë kundër forcave izraelite pranë kryqëzimit Gush Etzion në Bregun Perëndimor.

Gjithashtu në qytetin jugor të Bregut Perëndimor të Hebronit, u mbajt një funeral për Rafaat Hirbawi, 29 vjeç, i cili u vra më 18 korrik pas një sulmi të supozuar me makinë që plagosi tre ushtarë izraelitë.

Për më tepër, vajtuesit palestinezë mbartën edhe trupin e Ammar Khalil el-Tiravit, 34 vjeç, në fshatin Kafr Ayn pranë Ramallahut.

Tiravi u vra nga forcat izraelite gjatë përleshjeve në fshatin e afërt të Nabi Saleh më 16 korrik.

Territoret e pushtuara palestineze kanë përjetuar tensione të reja që kur forcat izraelite kanë vendosur kufizime në hyrjen e adhuruesve palestinezë në kompleksin e Xhamisë së Aksasë në Jeruzalemin Lindor në gusht të vitit 2015.

Më shumë se 300 palestinezë kanë humbur jetën e tyre nga forcat izraelite në tensionet e vazhdueshme që nga fillimi i tetorit 2015.

Regjimi i Tel Avivit është përpjekur të ndryshojë përbërjen demografike të Jeruzalemit gjatë dekadave të fundit duke ndërtuar koloni, duke shkatërruar vendet historike dhe duke dëbuar popullsinë palestineze lokale. Palestinezët thonë se masat izraelite synojnë të hapin rrugën për judaizmin e qytetit. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne