Bota

Izraeli miraton ndërtimin më të madh të vendbanimeve koloniale në Bregun Perëndimor në 25 vjet

Izraeli ka dhënë dritën jeshile për mbi 8,000 shtëpi të reja në Bregun Perëndimor, duke dhënë leje për ndërtimin e “menjëhershëm” për mbi një të tretën e tyre dhe duke e bërë kështu atë zgjerimin më të madh të vendbanimeve hebraike në zonë në 25 vjet.

Sipas Ministrit izraelit të Mbrojtjes, Avigdor Lieberman, 3,651 vendbanime u miratuan javën e kaluar, raporton Haaretz. Ministri vuri në dukje se “ajo që kemi miratuar më 6 dhe 7 qershor është maksimumi që mund të miratohet”.

Deri tani këtë vit nga autoritetet izraelite janë miratuar planet për 8,345 njësi të reja banimi, shkruan Agjensia Telegrafike Hebreje, duke cituar Liebermann. 3.066 prej tyre u është dhënë miratimi përfundimtar dhe së shpejti do të ndërtohen.

“Shifrat për gjysmën e parë të vitit 2017 janë më të lartat që nga viti 1992,” tha Lieberman, siç u përmend nga mediat lokale dhe agjensitë e lajmeve.

Ministri i mbrojtjes vlerësoi gjithashtu qeverinë e kryeministrit Benjamin Netanjahu për qëndrimin e tij agresiv në zgjerimin e vendbanimeve hebraike në Bregun Perëndimor.

“Nuk ka pasur asnjë qeveri më të mirë në lidhje me ndërtimin e vendbanimeve”, tha ai, sipas Haaretz.

Megjithatë për disa planet duket se nuk i përmbushin pritshmëritë.

“Unë e respektoj shumë ministrin e mbrojtjes, por për fat të keq shifrat që ai përmendi nuk janë të sakta,” tha Yossi Dagan, kreu i Këshillit Rajonal të Samarisë, sipas gazetës. Sipas Dagan, shumica e njësive të miratuara “numërohen pesë ose gjashtë herë”, duke e raportuar numrin “real” nën 2,000 njësi banimi.

Rreth 400,000 banorë hebrenj vlerësohen të jetojnë në Bregun Perëndimor së bashku me 2.8 milionë palestinezë. 200,000 izraelitë të tjerë jetojnë në Jeruzalemin Lindor, një zonë që pretendohet nga palestinezët.

Ndërtimi i vendbanimeve në rajon është konsideruar i paligjshëm sipas ligjit ndërkombëtar. Bashkësia ndërkombëtare ka shprehur shqetësime të gjata lidhur me ndërtimet e diskutueshme ndërkohë që dënon përkeqësimin e situatës së sigurisë midis izraelitëve dhe palestinezëve.

Qeveria e Izraelit ndërpreu zyrtarisht ndërtimin e vendbanimeve në vitin 1992, sipas grupit monitorues izraelit Peace Now. Kjo, megjithatë, nuk ndaloi ndërtimin e vendbanimeve të paautorizuara në Bregun Perëndimor. / © Gazeta Impakt

OPINIONE