Bota

Izraeli ndalon hyrjen e 90 shtetasve turq në Jerusalem

Policia e Izraelit nuk ka lejuar hyrjen e 90 shtetasve turq në Jerusalem me një agjenci private turistike, me pretendimin “se nuk kanë viza”.

Zyrtari i agjencisë së udhëtimit Sıla Tur, Musa Biçkioğlu në një deklaratë telefonike për gazetarin e AA-së tha se në aeroportin “Ben Gurion” në Tel-Aviv, ku kishin udhëtuar nëpërmjet kompanisë së tyre për të vizituar Jerusalemin, nuk është lejuar hyrja e 90 shtetasve turq në shtet “me pretendimin se nuk kanë viza”.

Biçkioğlu tha se grupit të vizitorëve, të cilët arritën nga Stambolli në Tel-Aviv sot në orën 09.30 sipas orës lokale, pas kontrollimit të vizave në aeroport nuk iu është lejuar hyrja në Izrael.

Ai mohoi pretendimin se pasagjerët, të cilët po presin në aeroportin “Ben Gurion”, kanë shkuar në Izrael pa viza. Sipas tij, ashtu si në vizitat e mëparshme për në Jerusalem, edhe për personat në këtë grup kanë marrë viza nga Konsullata e Izraelit.

Duke nënvizuar se ata nuk mund të largohen nga Turqia pa i marrë vizat, Biçkioğlu tha se “Izraeli nuk jep viza të veçanta për secilin turist që shkon në Jerusalem me kompanitë e udhëtimit. Dokumenti i cili jepet nga konsullata përdoret për të gjithë pasagjerët në vend të vizës”. Ai shtoi se ata kanë marrë vizë për të gjithë, por që grupi u pengua në hyrje të Izraelit.

Biçkioğlu tha se autoritetet izraelite nuk kanë dhënë më shumë shpjegime në lidhje me rastin.

Biçkioğlu njofton se 15 prej pasagjerëve, të cilëve nuk u lejua hyrja, janë kthyer në Stamboll me avion, ndërsa 33 pasagjerë të tjerë do të deportohen në fluturimin tjetër. Sipas tij, pjesa tjetër e pasagjerëve do të kthehen në Turqi në bazë të vendeve të zbrazëta në fluturimet e ardhshme.

23-vjeçarja, Sümeyra Sevgülü Hacıibrahimoğlu, njëra nga pasagjeret që nuk u lejua të hyjë në Izrael, në një deklaratë për AA tha se zyrtarët e Izraelit i kanë trajtuar pasagjerët si të ishin ilegalë. Ajo tha se pasi që nuk u lejua hyrja e tyre, disa nga pasagjerët janë marrë në pyetje nga forcat izraelite.

Ajo thotë se qëllimi i vizitës së tyre ishte vetëm për qëllime turistike dhe se dëshira e vetme e tyre ishte të vizitonin Jerusalemin dhe El-Halilin. Hacıibrahimoğlu tha se “Assesi nuk kemi bërë ndonjë vepër provokative. Madje, vepruam më me kujdes që të mos pësojnë ndonjë dëm grupet turke që do të vijnë pas nesh dhe vëllezërit tanë që jetojnë në Palestinë. Ëndrra e vetme e këtij grupi, shumica e të cilëve përbëhet nga të rinjtë, ishte që të shohin Jerusalemin. Por ne u dëshpëruam për shkak të qëndrimit të Izraelit”.

Ambasada e Turqisë në Tel-Aviv, e cila është në kontakt me pasagjerët që nga momenti i parë, po e ndjek nga afër çështjen. (AA)

OPINIONE