Izraeli pranon se gazetari i vrarë palestinez nuk paraqiste kërcënim

Ushtria izraelite pranoi se gazetari palestinez, Yaser Murtaja, i cili u qëllua nga forcat izraelite përderisa mbulonte tubimet masive përgjatë kufirit me Gazën, u vra pavarësisht se nuk paraqiste ndonjë kërcënim për ushtarët izraelitë, transmeton Anadolu Agency.

Sipas të përditshmes izraelite Haaretz, ushtria izraelite ka përgënjeshtruar deklaratën e ministrit të Mbrojtjes, Avigdor Liberman, se gazetari Murtaja po përdorte një dron për të filmuar protestat.

“Unë nuk e di nëse ai (Murtaja) ishte gazetar, meqenëse shumë terroristë e maskuan veten si gazetarë. Ai poashtu filmonte me dron, gjë e cila përbënte kërcënim për ushtarët izraelitë”, tha Liberman të shtunën e kaluar, duke mbrojtur ushtarët izraelitë.

Raporti poashtu vuri në dukje se ushtria izraelite nuk gjeti prova se ndonjë gazetar tjetër po filmonte ngjarjet duke përdorur dron.

Artikulli i të përditshmes izraelite poashtu konfirmoi se Murtaja u qëllua përderisa mbante një jelek “Press”.

Murtaja u qëllua në pjesën e stomakut nga forcat izraelite të premten e kaluar, gjatë kohës kur mbulonte “Marshin e Madh të Kthimit”. Për shkak të plagëve, ai ndërroi jetë të shtunën dhe funerali i tij u ndoq nga qindra palestinezë.

Sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, të paktën 31 palestinezë janë martizuar nga forcat izraelite që nga 30 marsi, kur filluan protestat paqësore.

Tubimet janë pjesë e një proteste 6-javore që do të kulmojë më 15 maj, e cila do të shënojë 70 vjetorin e krijimit të Izraelit, një ngjarje që palestinezët i referohen si “Nakba” ose “Katastrofë”.

Protestuesit kërkojnë që refugjatëve palestinezë t’u jepet “e drejta e kthimit” në qytetet dhe fshatrat e tyre në Palestinën historike, nga e cila ata u dëbuan në vitin 1948 për të krijuar rrugën për shtetin e ri të Izraelit.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne