Bota

Izraeli: Riadi ka dështuar në Jemen/Tel Avivi të marrë mësim

Duke pohuar se Arabia Saudite humbi aleatët e saj gjatë luftës në Jemen, një analist izraelit bëri thirrje për të nxjerrë një mësim në kontekstin e një konflikti me Hezbollahun, përballë të cilit Tel Avivi është i vetëm.

Yaron Friedman, ekspert i Izraelit për çështjet rajonale, shkruan në një artikull të botuar nga gazeta Yediot Aharonot se pas vendimit të Emirateve të Bashkuara Arabe për tërheqjen e forcave të tyre nga Jemeni, Riadi gjendet i vetëm në luftën e tij kundër luftëtarëve të Ansarallahut. Izraeli, i cili pranon se Teherani  arriti një fitore të pjesshme, do të duhet të nxjerrë një mësim. “Pavarësisht përparimeve të bëra në fillim të ofensivës, në operacionet në shkallë të gjerë të nisura në mars 2015 kundër Jemenit, me kalimin e kohës, u zbulua dështimi dërrmues i Arabisë Saudite, e cila pas formimit të një koalicioni me Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajtin, Katarin, Bahrejnin dhe Sudanin, ka marrë mbështetje zyrtare edhe nga forcat jordaneze, egjiptiane dhe marokene”, thekson Yaron Friedman. Sipas të diplomuarit të Universitetit të Sorbonës, një nga dështimet më të këqija të pësuara nga Arabia Saudite ishte që aleatët e saj filluan të tërhiqeshin nga koalicioni njëri pas tjetrit, duke mos dashur të pësonin një humbje që ishte tepër e dukshme. “Pas tërheqjes së Katarit në qershor 2017, është radha e Emirateve të Bashkuara Arabe që të tërheqin trupat e tyre nga Jemeni. Me pak fuqi, Bahrejni është i vetmi që e mban praninë e tij atje. Përpjekjet dhe mbështetja Saudite-Emiratase për qindra mijëra ushtarë kundër luftëtarëve Ansarallah në Jemenin jugor çuan në një valë pakënaqësie në zonat ku ata kishin vendosur. Pra, disa qarqe arabe e përshkruajnë praninë e sauditëve dhe emiratasve në Jemen njësoj si pushtimin e territoreve palestineze nga Izraeli”, shkruan Friedman. “Në të vërtetë, pas kërcënimit të Ansarallah për ta transformuar parajsën ekonomike të Emirateve në një ferr dhe me fluturimin e dronëve të lëvizjes jemenase mbi aeroportet e Dubait dhe Abu Dhabit, Muhamed ben Zajed, Princi i Kurorës së Emirateve, e kuptoi koston e madhe të luftës në Jemen. Kërkesat për tërheqje nga lufta në Jemen po rriten, Abu Dhabi ka frikë të jetë, ashtu si Riadi, objektivi i sulmeve të Ansarallah”, tha ai. “Një luftë në territorin e Emirateve të Bashkuara Arabe do të ishte makthi i udhëheqësve Al Nahyan dhe Al Maktum. Për shkak se ekonomia e vendit bazohet në stabilitet. Çdo luftë atje do të shkatërronte tregtinë ndërkombëtare, duke larguar punëtorët e huaj dhe turistët dhe duke paralizuar eksportin e naftës”, thekson ai. Yaron Friedman konkludon se dështimi i Arabisë Saudite në Jemen është një mësim: sulmet ajrore nuk janë të mjaftueshme për të përkulur armikun. Megjithë epërsinë e avionëve të tij, Izraeli duhet të shmangë të bëjë të njëjtin gabim si sauditët, të ngufatur në luftën në Jemen./pt

 

OPINIONE