Izraeli rrënon një shtëpi të palestinezëve në Bregun Perëndimor

Ushtarët izraelitë kanë rrënuar një shtëpi të palestinezëve në kampin e refugjatëve Al-Amari në afërsi të qytetit Ramallah në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Ushtarët të cilët bastisën kampin rrënuan shtëpinë trekatëshe të Lutfiye Ebu Hamid në ndërtim e sipër.

Gjatë rrënimit, të rinjtë palestinezë u përleshën me ushtarët izraelitë. Ushtarët përdorën plumba të vërtetë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë të rinjtë.

Izraeli edhe më 15 dhjetor 2018 rrënoi shtëpinë e familjes Ebu Hamid me arsye se një nga anëtarët e familjes ka shkaktuar vdekjen e një izraeliti.

Pas rrënimit, institucionet civile dhe zyrtare premtuan se do të lejojnë rindërtimin e shtëpisë në zonën A.

Nën pretendime të ndryshme, Izraeli vazhdimisht ka rrënuar shtëpitë dhe ndërtimet e palestinezëve në Kudsin Lindor dhe Bregun Perëndimor, rajone të cilat i mban të pushtuara që nga viti 1967.

Burimet lokale thonë se vetëm vitin e kaluar, Izraeli rrënoi 538 shtëpi dhe biznese të palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor me pretendimin se ishin pa leje ose ndodheshin në zonën C.

Në kuadër të “Marrëveshjes së Dytë të Oslos” të nënshkruar në vitin 1995 mes Palestinës dhe qeverisë izraelite, Bregu Perëndimor ishte ndarë në zonat A, B dhe C.

Zona A, e cila përfshin 18 për qind të territorit, i ishte alokuar Palestinës në aspektin administrativ dhe atë të sigurisë, zona B, që përfshinte 21 për qind, në aspektin administrativ i ishte alokuar Palestinës kurse në atë të sigurisë Izraelit, kurse zona C, që përfshin 61 për qind të Bregut Perëndimor, i ishte alokuar Izraelit edhe në aspektin administrativ, edhe atë të sigurisë./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne