Bota

Izraeli rrënon për herë të 143-të fshatin palestinez Al-Arakib

Forcat izraelite shembin për herë të 143-të shtëpitë në fshatin Al-Arakib (Al-Araqeeb) ku jetojnë palestinezët të cilët ndodhen në shkretëtirën Negev në jug të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).

Anëtari i Komitetit të Mbrojtjes së Arakibit, Aziz et-Turi, në një deklaratë për AA-në tha se forcat izraelite kanë realizuar një bastisje dhe kanë shembur shtëpitë në fshat.

Kjo është hera e 143-të e shembjes së shtëpive në fshatin Arakib nga Izraeli që nga muaji korrik i vitit 2010, tha Turi. Ai u shpreh se “Pavarësisht motit të nxehtë dhe se ndodhemi në muajin e Ramazanit forcat izraelite këmbëngulën që të shembin shtëpitë në fshat. Kanë lënë gratë, fëmijët dhe të moshuarit pa shtëpi”.

Pasi ka vënë në dukje se nuk do ta braktisin fshatin e tyre dhe do ta ndërtojnë sërish ashtu sikurse kanë vepruar edhe më parë, Turi tha se “Do ta rindërtojmë fshatin tonë. Nuk do të heqim dorë pavarësisht çdo gjëje. Nuk do të largohemi nga këto territore”.

Në fshatin Arakib ku Izraeli ka kryer shembjen e parë të shtëpive në vitin 2010, jetojnë më shumë se 80 palestinezë shtetas të Izraelit. Qeveria e Izraelit pretendon se fshati është ndërtuar në mënyrë të jashtëligjshme dhe se duhet të rrënohet. Kurse banorët e fshatit theksojnë se këto territore u kanë mbetur trashëgim nga gjyshërit e tyre shumë kohë më parë, para themelimit të Izraelit.

Izraeli ashtu sikurse edhe në fshatrat e tjerë në rajonin Negev nuk ofron shërbimet e detyrueshme si ujë dhe energji elektrike, si dhe nuk njeh pronësinë e tokës për palestinezët që jetojnë në rajon.

Sipas burimeve palestineze deri më tani Izraeli nga 12 milionë dynymë territor ku jetojnë 220 mijë palestinezë ka konfiskuar 11 milionë dynymë të shkretëtirës Negev./trt

OPINIONE