Bota

Izraeli shqyrton mbylljen e rrjetit televiziv Al Xhazira

Qeveria izraelite është takuar për të diskutuar propozimet për të ndaluar rrjetin televiziv Al Jazeera të Katarit, njoftoi të martën e përditshmja izraelite “Yedioth Ahronoth”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kanali televiziv tashmë është ballafaquar me ndalesa në botën arabe, pasi disa shtete arabe, duke përfshirë vendet e mëdha si Arabia Saudite dhe Egjipti, papritmas kanë ndërprerë marrëdhëniet me Dohën zyrtare javën e kaluar.

Vendet që kanë ndërprerë lidhjet me Katarin e akuzojnë shtetin e vogël të Gjirit për “mbështetje dhe financimin e terrorizmit” dhe ndërhyrjet, nëpërmjet Al Jazeera-s, në punët e tyre të brendshme.

Izraeli ka akuzuar për një kohë të gjatë Al Jazeera-n për paragjykime kundër tij.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, njoftohet se u takua me zyrtarë të agjencive të ndryshme shtetërore, duke përfshirë agjencinë e brendshme të inteligjencës Shin Bet, për të diskutuar propozimet për ndalimin e transmetimit të kanalit brenda Izraelit.

Sipas “Yedioth Ahronoth”, megjithatë, Izraeli mund të përballet me vështirësitë që të ndalojnë njërin nga kanalet më të njohura në Lindjen e Mesme, pasi shumica e punonjësve të tij me qendër në Izrael janë arabe të Izraelit dhe me gjasë do të apelojnë masën në gjykatën supreme.

Gjithashtu të hënën, ministri izraelit i Mbrojtjes, Avigdor Lieberman, kritikoi rrjetin televiziv në Knesset (Parlamentin e Izraelit), duke përshkruar mbulimin e tij të Izraelit dhe Palestinës si “propagandë të pastër”.

OPINIONE

INTERVISTA