J.D. Vance: Plani për Gazën po përparon më mirë se sa pritej

Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, J.D. Vance, deklaroi sot se zbatimi i marrëveshjes për armëpushim në Rripin e Gazës “po ecën më mirë se sa ishte parashikuar”, duke vlerësuar bashkëpunimin e qeverisë izraelite në këtë proces.

Deklarata u bë gjatë një konference për shtyp në Qendrën e Koordinimit Civil-Ushtarak në Kiryat Gat, në jug të Izraelit, ku janë vendosur trupa amerikane për të monitoruar respektimin e marrëveshjes së armëpushimit.

“Qeveria izraelite ka treguar një gatishmëri të jashtëzakonshme për bashkëpunim në zbatimin e planit për Gazën,” tha Vance, duke shtuar se mbetet “shumë optimist” për qëndrueshmërinë e kësaj marrëveshjeje, e treta në më shumë se dy vite lufte intensive.

Sipas tij, ajo që është parë gjatë ditëve të fundit është inkurajuese dhe jep shpresë për vazhdimësinë e paqes.

“Sa herë që ndodh një incident i dhunshëm, menjëherë flitet për fundin e armëpushimit. Por kjo nuk do të thotë se gjithçka ka mbaruar. Kur palët kanë një histori konflikti kaq të gjatë, këto gjëra ndodhin. E rëndësishme është se jemi në rrugën e duhur,” theksoi ai.

Në lidhje me trupat amerikane, Vance u shpreh qartë se SHBA nuk do të dërgojë forca në territorin e Gazës për të mbikëqyrur zbatimin e armëpushimit.

“Nuk do të ketë trupa amerikane në terren në Gaza,” konfirmoi ai, në prani të të dërguarit special të SHBA, Steve Whitkoff, dhe Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan.

Ai pranoi gjithashtu se vendndodhja e trupave të disa pengjeve të vrarë në Gaza mbetet e panjohur, duke e cilësuar këtë si një çështje “të vështirë” që nuk mund të zgjidhet brenda natës.

Sa i përket çmilitarizimit të Hamasit, Vance sqaroi se Uashingtoni nuk ka vendosur një afat konkret, dhe nuk do të vendosë një ultimatum në këtë fazë.

“Hamas duhet të përmbushë marrëveshjen. Nëse nuk e bën, pasojat do të jenë serioze. Por nuk do të japim një datë përfundimtare, sepse këto janë procese komplekse dhe kërkojnë kohë,” përfundoi ai./panorama

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Na ndiq