“Jam Edi Rama”, lezhjani vjedh milionat e mbledhura për dëmet e tërmetit dhe arrestohet

Policia tha sot se në Lezhë ka arrestuar shtetasin Arian Meli.

Ky i fundit mësohet se në emër të qeverisë ka krijuar llogari në Facebook, duke mbledhur shuma monetare për dëmet e tërmetit.

30-vjecari kishte hapur një llogari me emrin “Rilindja” duke përfituar fonde nga solidariteti i donatorëve të ndryshem.

Policia theksoi sot se shtetasit që tentojnë të përfitojnë nga situata e fatkeqësisë nuk do të tolerohen.

Nga ana tjetër, ajo përsëriti thirrjen se kanali i vetëm për donacione rreth tërmetit është portali e-Albania.

***

Deklaratë për shtyp e Zv/drejtoreshës së përgjithshme të Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj

Përshëndetje,

Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar në operacionet e kërkim-shpëtimit dhe në dhënien ndihmë të çdo qytetari në nevojë.

Krahas kësaj, Policia e Shtetit është duke punuar intensivisht për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e të gjithë personave, që me qëllim apo me papërgjegjshmëri po tentojnë të përfitojnë nga situata e krijuar.

Policia e Shtetit, nëpërmjet strukturave të saj të specializuara kundër krimit kibernetik, në bashkëpunim me strukturat kundër krimit ekonomik dhe financiar gjatë ditës së sotme ka evidentuar dhe goditur një rast flagrant të përfitimit nëpërmjet solidaritetit mbarëpopullor për të ndihmuar familjet e prekura nga tërmeti.

Në këto momente, në Lezhë, është arrestuar në flagrancë shtetasi Arjan Meli, 30 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë.

Ky shtetas, nëpërmjet rrjetit social Facebook, ka hapur një llogari me emrin “Rilindje”.

Në këtë faqe, ky shtetas, ka postuar një status në emër të Kryeministrit, duke u bërë thirrje qytetarëve për solidarizim duke kontribuuar në vlera monetare në dy numra llogarie, të cilat ky shtetas i kishte publikuar në këtë status.

Theksojmë faktin se numrat e llogarisë ishin llogari private të këtij shtetasi dhe se gjatë kësaj kohe të shkurtër qytetarë të ndryshëm kanë rënë pre e këtij mashtrimi duke bërë derdhje shumash të ndryshme.

Policia e Shtetit, në bashkëpunim me strukturat e tjera të Inteligjencës Financiare dhe të sistemit bankar kanë marrë masa për bllokimin e kësaj llogarie.

Policia e Shtetit dënon çdo fenomen abuzimi në këto momente kritike për të gjithë dhe ju informon se nëpërmjet strukturave të specializuara të saj, si dhe në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese është duke punuar intensivisht për kontrollin, monitorimin e vazhdueshëm të situatës, zbulimin dhe goditjen e çdo rasti të abuzimeve me këtë situatë të fatkeqësisë natyrore.

Ashtu siç është bërë e ditur vazhdimisht nga strukturat shtetërore, i vetmi kanal unik shtetëror për ofrimin e donacioneve apo ndihmave është nëpërmjet portalit e-albania/dhuro.

Policia e Shtetit, duke shprehur solidaritetin e plotë me të gjitha familjet e dëmtuara, mbetet e angazhuar maksimalisht, në misionin e saj në shërbim të qytetarëve. Për çdo denoncim apo sinjalizim të çfarëdolloj abuzimi apo shkeljeje të ligjit, telefononi në numrin 112.

Faleminderit!

/tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne