“Jamal Khashoggi meriton varrim dinjitoz”

“Gazetari i vrarë Jamal Khashoggi meriton ‘një varrim dinjitoz’, kështu që ju lutem dorëzoni trupin e tij”, ka theksuar drejtori i Monitorimit të Lindjes së Mesme, Daud Abdullah, duke iu lutur autoriteteve saudite.

Abdullah foli për Anadolu Agency (AA) para një ngjarjeje përkujtimore në Londër për të kujtuar Khashoggin, që organizohet nga organizata jo-fitimprurëse e monitorimit të shtypit “Monitorimi i Lindjes së Mesme” dhe Forumi Al Sharq, një institut i pavarur pro-demokratik, jo partiak dhe jo-fitimprurës i fokusuar në Lindjen e Mesme.

Ai tha se tubimi i ditës së hënë ishte organizuar për të njohur arritjet e Khashoggit si një gazetar dhe internacionalist.

“Në vitet e fundit të jetës së tij ai ishte bazuar në Washington në ‘The Washington Post’“, tha Abdullah, duke shtuar se kjo i dha atij një platformë për të hedhur mesazhin e tij larg dhe gjerësisht.

Duke theksuar se si autoritet saudite pranuan se Khashoggi u vra në Konsullatën Saudite në Stamboll pas disa javësh mohimit, ai u kërkoi atyre të dorëzonin trupin e gazetarit Khashoggi.

“Ne kemi vetëm një mesazh për sauditët. I lutemi në emër të Perëndisë, për hir të Zotit, dorëzojeni trupin. Ai ka të drejtë të ketë një varrim dinjitoz”, shprehet Abdullah.

Megjithatë, shtoi ai, rasti nuk do të mbyllet derisa përgjegjësit për vrasjen të japin llogari.

“Asnjë krim i zakonshëm”

Galip Dalay, drejtor i hulumtimit i Forumit Al Sharq, mendon se Khashoggi nuk ishte viktimë i një krimi të zakonshëm.

Duke folur po ashtu për AA, Dalay tha se dy ngjarjet e fundit të organizuara nga gazetari saudit ishin organizuar në fund të muajit të kaluar nga Forumi Al Sharq në Stamboll dhe nga Monitorimi i Lindjes së Mesme në Londër, kjo e fundit vetëm katër ditë para vdekjes së tij. Ai tha se kjo është arsyeja pse të dy organizatat janë pritës së ngjarjes përkujtimore.

“Jamal nuk u vra në një aktivitet të vogël kriminal”, thotë Dalay, por ai u vra, shton ai, në një aksion të “paramenduar” të urdhëruar nga autoritetet e nivelit të lartë në Arabinë Saudite.

“Kush dha urdhrin? Cili ishte rrjeti? Kush ishte i përfshirë në këtë rast nga niveli politik? Ata po ashtu duhet të sillen para drejtësisë”, thekson ai, duke shtuar se kjo duhet të hapë rrugën për një “juridiksion universal” lidhur me vrasjen.

Miqtë gazetarë të Khashoggit, aktivistë të të drejtave të njeriut, politikanë dhe akademikë u bashkuan me aktivitetin përkujtimor të mbajtur në qendër të Londrës.

Në ngjarjen e titulluar “Të kujtohet Jamali”, po ashtu mbajtën fjalim Abdullah, deputeti konservator Crispin Blunt, si dhe gazetarë të shquar.

Khashoggi, një gazetar dhe kolumnist saudit i “The Washington Post”, u zhduk pasi hyri në Konsullatën Saudite në Stamboll më 2 tetor.

Pas disa javëve të mohimit për fatin dhe vendndodhjen e tij, më 19 tetor zyrtarët sauditë pranuan se Khashoggi kishte vdekur brenda ndërtesës së konsullatës.

Policia turke po heton rastin, ndërsa presidenti Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se 18 personat e arrestuar në Arabinë Saudite lidhur me vrasjen duhet të dërgohen në Turqi për t’u përballur me gjyqin.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne