Japin dorëheqjen edhe 4 mjekë të urgjencës në QSUT: Në asnjë spital në botë nuk punohet në këto kushte

Katër mjekë të tjerë të Urgjencës Qendrore në QSUT kanë firmosur ditën e djeshme letrën e dorëheqjes kolektive si pasojë e kushteve të rënda të punës. Mjekët me iniciale L.Ç, P.P, B.H dhe R.P i janë bashkuar 8 kolegëve të tyre dhe janë solidarizuar në lidhje me këtë situatë. “I vetmi që nuk ka firmosur këtë peticion, është shefi i urgjencës, Edmond Zaimi, ndërkohë që jemi plot 12 mjekë që kemi firmosur dorëheqjen si pasojë e mbingarkesës dhe mosrespektimit të kontratës së punës. Në asnjë spital në botë nuk punohet në këto kushte ku punojmë ne”, – tregon një prej mjekëve të urgjencës.

Mjekët, nëpërmjet kësaj letre drejtuar drejtorisë së QSUT, presidentit, kryeministrit e ministres së Shëndetësisë listojnë të gjitha arsyet që i kanë shtyrë të marrin një vendim të tillë. “Kushtet e punës së stafit mjekësor nuk plotësohen bazuar në kontratën punëdhënës-punëmarrës. Mbingarkesa me të sëmurë të shtruar që qëndrojnë mbi 48 orë në urgjencë për mungesë vendesh në pavijonet e tjera e moszbatimi i urdhrave të nxjerrë nga drejtoria, kemi marrë vendim që të tërhiqemi nga pozicioni ynë i punës, duke lajmëruar 30 ditë përpara”, – theksohet në letrën e dorëheqjes. Pavarësisht kësaj, të 12 mjekët e urgjencës, vazhdojnë të jenë në krye të detyrës e t’u shërbejnë radhës së gjatë të pacientëve. Gjithashtu, sipas GSH.al bëhet me dije se 7 specializantë që kanë qenë pjesë e QSUT-së janë larguar në Gjermani për të ushtruar profesionin e tyre.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne