Japoni, rritet numri i të vdekurve nga tërmeti

Është rritur në 40 numri i të vdekurve nga tërmeti 6.7 ballë i cili të enjten e kaluar goditi ishullin Hokaido në veri të Japonisë.

Sipas agjencisë së lajmeve Kyodo, së fundmi me gjetjen e trupit të pajetë të një mashkulli 77 vjeçar në qytetin Atsuma, numri i personave që humbën jetën si pasojë e tërmetit është rritur në 40.

Përkundër njoftimeve se nga tërmeti ka njerëz të cilët llogariten si të zhdukur, qeveria lokale u ka dhënë fund punimeve për shpëtim. Ndërkaq rreth 2.700 persona kanë mbetur në strehimore.

Si pasojë e rrëshqitjeve të tokës një numër i madh i shtëpive janë shkatërruar.

Më tej thuhet se 8.000 shtëpi në ishullin Hokaido ende nuk mund të furnizohen me energji elektrike.

Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe vizitoi Sapporon, qytetin më të madh të ishullit ku ndodhi tërmeti, ku inspektoi punimet lidhur me fatkeqësinë.

Tërmeti 6.7 ballë paralizoi jetën në ishullin Hokaido.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne