Jeffrey kërkon nga Gjermania të dërgojë trupa ushtarake në Siri

Përfaqësuesi i Posaçëm i ShBA-së për Siri, James Jeffrey bëri të ditur se nga Gjermania presin të dërgojë trupa ushtarake në veri të Sirisë.

Në prononcimin e bërë për gazetën gjermane “Welt am Sonntag”, Jeffrey tha se “Ne duam që ushtarët gjermanë të zëvendësojnë disa nga ushtarët tanë”.

Jeffrey bëri të ditur që Gjermania luan një rol aktiv në procesin politik në veri të Sirisë dhe në luftën kundër organizatës terroriste DAESH, por tha se ata presin mbështetje më të madhe nga Gjermania edhe në fushën ushtarake.

Ai bëri të ditur se përparësi kryesore nuk është që ushtarët e kërkuar të jenë të njësisë luftarake, ndërsa tha se “Organizata terroriste DAESH mund të zmbrapset me forcat më të mira lokale në Siri, por ato kanë nevojë për një fuqi ndërkombëtare në mbështetjen ajrore, logjistike, në trajnim dhe mbështetje teknike”.

James Jeffrey theksoi se misioni i kërkuar ushtarak do të shërbej në vendosjen e stabilitetit në veri të Sirisë, ndërsa vijoi me këto fjalë: “Pa stabilitet organizata terroriste DAESH ose grupet tjera do të kthehen. Ne duam ta shkatërrojmë plotësisht organizatën terroriste DAESH. Ne duam që të fillojë një proces reformash politike të udhëhequra nga Kombet e Bashkuara në Siri dhe që Irani të tërhiqet plotësisht nga vendi”.

Jeffrey vuri në dukje se pas tërheqjes së trupave amerikane në veri të Sirisë, gjermanët apo ushtarët e tjerë që do t’i zëvendësojnë, duhet gjithashtu të kenë aftësinë për të luftuar.

“Ushtarët duhet të jenë të gatshëm të mbrojnë veten. Ata do të kenë armë të rënda, bazuka dhe armë të ngjashme. Megjithatë, trupat për të sulmuar do të përbëhen nga forcat siriane”, bëri të ditur Jeffrey.

Duke vënë në dukje se këtë çështje e ka biseduar edhe me përfaqësuesit e qeverisë në Berlin, Jeffrey tha se “Gjermanët do të shohin se çfarë mund të bëjnë”.

Ai gjithashtu deklaroi se ata e dinë se si operacionet ushtarake priten në Gjermani, ndërsa vijoi me këto fjalë: “Ne e njohim historinë gjermane që nga viti 1933. Gjithashtu dimë se sa me përpikëri gjermanët e konsiderojnë çdo angazhim ushtarak. Megjithatë për asnjë vend nuk është lehtë për të marrë një vendim të tillë”.

Në lidhje me gjendjen e evropianëve të cilët iu bashkëngjitën organizatës terroriste DAESH në Siri, diplomati amerikan bëri të ditur se Shtetet e Bashkuara mendojnë ndryshe nga Evropa, ndërsa tha se vendet evropiane duhet t’i pranojnë këta persona dhe duhet të drejtojnë procesin gjyqësor në rast të një padie kundër tyre./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne