Jemen, kolera vret 1.500 njerëz për dy muaj

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se shpërthimi i kolerës në Jemenin e shkatërruar nga lufta ka vrarë 1.500 njerëz që nga fundi i prillit, ndërsa gjatë dy muajve të fundit janë raportuar të paktën 246.000 raste të dyshuara të sëmundjes.

Përfaqësuesi i OBSH-së në Jemen, Nevio Zagaria, i bëri vërejtjet gjatë një konference shtypi në kryeqytetin Sana’a, duke shtuar se numri i rasteve të dyshuara është shumëfishuar dhjetë herë gjatë dy muajve të fundit.

Ky është shpërthimi i dytë i shpejtë i kolerës në Jemen gjatë gjashtë muajve të fundit.

Sipas shifrave të OBSH, numri i njerëzve të vrarë nga kolera në Jemen ishte 1,300 dy javë më parë, ndërsa numri i rasteve të dyshuara me kolerë ishte mbi 200,000 njerëz.

Agjensia e shëndetësisë së OKB-së tha se një e katërta e të vrarëve nga shpërthimi i kolerës janë fëmijë.

Muajin e kaluar, agjensia e fëmijëve të Kombeve të Bashkuara paralajmëroi se numri i të infektuarve me kolerë do të rritet në më shumë se 300,000 deri në fund të gushtit.

Kolera është një infeksion akut me diarre që përhapet nëpërmjet ushqimit ose ujit të kontaminuar. Ajo mund të trajtohet në mënyrë efektive me zëvendësimin e menjëhershëm të lëngjeve dhe kripërave të humbura, por pa trajtim mund të jetë fatale.

Ndërkohë, një luftë dyvjeçare e udhëhequr nga Saudia në vendin më të varfër të botës arabe ka dëmtuar rëndë infrastrukturën dhe ka shkaktuar mungesa të barnave në Jemen.

Infeksioni i parë i kolerës u bë epidemi në Jemen tetorin e kaluar dhe u përhap deri në dhjetor, kur ajo u zvogëlua. Shpërthimi i dytë filloi në vendin e gadishullit arab më 27 prill.

Shifrat e fundit të OKB-së tregojnë se konflikti në Jemen ka lënë 18.8 milionë të popullsisë prej 28 milionë banorë me nevoja për ndihmë humanitare, dhe gati shtatë milionë në prag të urisë.

Arabia Saudite ka udhëhequr një fushatë brutale ushtarake kundër Jemenit që prej dy vjetësh në një përpjekje për të eliminuar lëvizjen Houthi Ansarullah dhe për të rivendosur ish-presidentin mik të Rijadit, Abd Rabbuh Mansur Hadi. Megjithatë, fushata ushtarake saudite nuk ka mundur t’i arrijë qëllimet e saj.

Lufta e zgjatur ka vrarë tashmë mbi 12,000 jemenas, me SHBA-në dhe Mretërinë e Bashkuar që i kanë ndihmuar sauditët në agresion. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne