Jemeni përballet me zgjedhjen jetë a vdekje; të trajtojë fëmijët e sëmurë apo të ushqejë të shëndetshmit?

Ndërsa beteja në Jemen vazhdon, shumë prindër ballafaqohen me zgjedhjen e ashpër të trajtimit të një fëmije të sëmurë apo të të ushqyerit të një të shëndetshmi, sipas një përfaqësuesi të UNICEF i cili foli pas vdekjes tragjike të një shtatëvjeçarjeje që vdiq nga sëmundjet dhe kequshqyerja .

Fëmijët po paguajnë një çmim jashtëzakonisht të lartë në Jemenin e shkatërruar nga lufta, me 90 për qind të dëshpëruar për nevoja të kujdesit humanitar, sipas UNICEF. Pothuajse gjysmë milioni janë në rrezik të urisë.

Një nga tragjeditë më të fundit është vdekja e 7-vjeçares Jamila Ali Abdu, e cila vdiq nga kequshqyerja pasi vuajti nga parazitët për dy vjet.

“Çdo herë që shkonim në spital, na thonin se kishte parazitë dhe baktere. Ne nuk mund të shkonim askund pasi jemi njerëz të varfër dhe nuk mund të shkonim në Sana apo diku tjetër”, tha babai i vajzës, Ali Abdu.

Disa pamje prekëse treguan momentet përfundimtare të vajzës në një shtrat spitalor, me babain e saj në krah.

“Ajo ishte shumë e sëmurë dhe unë u përpoqa ta trajtoja atë nëpër spitale por asgjë nuk ndihmoi. Sapo të kishim ndonjë shumë parash do ta shpenzonim për të marrë trajtimin e saj. Do të shisnim mobiliet dhe delet dhe gjithçka tjetër. Doja një jetë të shëndetshme për Jamilën, por nuk ishim në gjendje ta merrnim atë”, tha Amal Ibrahim, nëna e pikëlluar e Jamilës.


Dr. Awsan al-Aariqi, i cili ishte pjesë e ekipit që po përpiqet të trajtonte Jamilën, tha se personeli mjekësor bëri gjithçka që mundi.

“Shkaku kryesor i kequshqyerjes për këtë fëmijë është se ajo ka vuajtur nga diarreja për rreth dy ose tre vjet, pa asnjë diagnozë … ne e kemi filluar trajtimin e saj sipas protokollit për trajtimin e fëmijëve të kequshqyer, por për këtë fëmijë, për fat të ke, nuk kishte përgjigje ndaj trajtimit,” tha ai.

Historia e Jamilas megjithatë nuk është unike. Në fakt, të paktën një fëmijë vdes çdo 10 minuta për shkak të sëmundjeve të parandalueshme si diarreja, kequshqyerja dhe infeksionet e traktit respirator, sipas agjensisë.

“Ne kemi parë shumë tragjedi si Jamila çdo ditë. Ne e dimë se aktualisht rreth 7 milionë jemenas janë duke u ballafaquar me mungesa të rënda ushqimore, që do të thotë se nuk e dinë se kur do u vijnë vaktet e tyre të ardhshme”, tha Sherin Varkey, përfaqësues zëvendësues i UNICEF-it në Jemen.

Ai vazhdoi të pohonte se familjet po bëjnë “zgjedhje të jetës ose vdekjes”, të tilla si të vendosin nëse duhet të investojnë në trajtimin e një fëmije të sëmurë apo në ushqimin e fëmijëve të tyre të shëndetshëm.

“Situata po përkeqësohet dhe koha po mbaron për fëmijët në Jemen,” tha Varkey.

Përveç urisë, kequshqyerjes dhe sëmundjeve, jemenasit e pafajshëm po bien viktimë e dhunës së vazhdueshme në vend, me koalicionin e udhëhequr nga Sauditët që fajësohet për vdekjet civile si pasojë e sulmeve ajrore. Megjithatë, koalicioni ka hedhur poshtë pretendimet se ka shënjestruar njerëz të pafajshëm.

Më shumë se 10,000 njerëz vlerësohet të jenë vrarë që nga fillimi i ndërhyrjes së Arabisë Saudite në Jemen, sipas OKB-së. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne