Johnson përjashton 21 deputetë nga grupi parlamentar i partisë së tij

Kryeministri britanik, Boris Johnson, përjashtoi 21 deputetë “opozitarë” nga grupi parlamentar i partisë së tij, përfshirë dy ish-ministrat e financave dhe nipin e Winston Churchill.

Johnson, përjashtoi nga grupi parlamentar i Partisë Konservatore 21 deputetët që vepruan së bashku me partitë opozitare në votimin kritik të kryer dje në parlament.

Vendimi për përjashtim iu njoftua nëpërmjet telefonit 21 deputetëve në mesin e të cilëve janë të përfshirë edhe ish-ministrat e financave Philip Hammond dhe Ken Clark, ish-ministri i drejtësisë David Gauke dhe Sir Nicholas Soames, nipi i Winston Churchill.

Dje, me kalimin e një ligjvënësi në Partinë Demokratike Liberale, Johnson humbi shumicën e qeverisë, dhe pas vendimit për përjashtim është dobësuar plotësisht në parlament.

Partitë e opozitës sot në Dhomën e Komuneve e cila është krahu i ulët i parlamentit, pritet që të miratojnë një projektligj i cili do të pengojë vendin të largohet nga BE-ja pa marrëveshje.

Nëse Dhoma e Komuneve përfundon procesin legjislativ sot, projektligji do të transferohet në dhomën e sipërme të Dhomës së Lordëve.

Gjithashtu partitë e opozitës duke përfunduar shpejt procesin në Dhomën e Lordëve të enjten, synojnë miratimin e projekt-ligjit të premten.

Ligji që do të miratohet pritet të formulohet në mënyrën që të detyrojë qeverinë të kërkojë një shtyrje të re nga BE nëse nuk arrihet një marrëveshje Brexit mes Britanisë dhe BE.

Zgjedhjet e parakohshme

Në Dhomën e Ulët të Parlamentit, propozimi për të përcaktuar axhendën e Parlamentit, u miratua dje me 328 vota “pro” dhe 301 “kundër”.

Në një fjalim pas votimit të djeshëm, kryeministri Johnson tha se do të paraqiste një propozim në parlament për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme nëse parlamenti miraton një ligj për të parandaluar një Brexit pa marrëveshje.

Por sipas ligjit britanik, vendimi për zgjedhje të parakohshme mund të merret nga një shumicë prej dy të tretave në parlament. Boris Johnson është i detyruar të marrë mbështetjen e opozitës për vendimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Ndërkohë Jeremy Corbyn, lideri i Partisë Laburiste të opozitës kryesore, njoftoi se ai nuk do të mbështesë vendimin për zgjedhje të parakohshme përpara se Brexit të parandalohet në mënyrë të prerë.

Data e 15 tetorit po tregohet si një datë për zgjedhje të mundshme të parakohshme në Britani.

Procesi Brexit

Kryeministri Johnson përsërit shpesh vendosmërinë e tij për të ndarë Britaninë nga BE, me ose pa një marrëveshje më 31 tetor.

Marrëveshja për Brexit-in që ish-kryeministrja Theresa May arriti me BE-në është refuzuar tre herë në Parlament.

Pas vendimit të May për të dhënë dorëheqjen, Johnson u zgjodh kryeministër me votat e rreth 150,000 anëtarëve të Partisë Konservatore.

Parlamenti britanik parandaloi Brexit-in pa marrëveshje që duhej të realizohej më 29 mars duke miratuar një ligj dhe më pas qeveria me miratimin e BE-së e shtyu Brexit-in deri më 31 tetor.

Në referendumin e vitit 2016, Britania e Madhe vendosi të largohej nga BE-ja me 52 për qind ‘pro’ ndërsa 48 për qind ishin ‘kundër’. /AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne