Sot në Jordani u mbajtën protesta kundër të ashtuquajturit plan i paqes të presidentit amerikan Donald Trump dhe importit të gazit nga fushat izraelite të gazit natyror në Mesdhe.
Qindra persona morën pjesë në marshin që filloi para Xhamisë Al-Husseini në kryeqytetin Aman pas thirrjes së “Aleancës Kombëtare Kundër Marrëveshjes së Shekullit”.
Protesta u mbështet nga shumë liderë të partive politike dhe deputetë, përfshirë sekretarin e përgjithshëm të Partisë Fronti Islam i Veprimit, Murad al-Adaileh, krahut politik të Vëllazërisë Muslimane, dhe deputetin Saud Abu Mahfuz.
Në një prononcim për AA, Adaileh tha se aktivitetet kundër të ashtuquajturit plan i paqes dhe marrëveshjes për importin e gazit izraelit do të vazhdojnë.
“Kjo marrëveshje, e cila synon t’ia dhurojë Palestinën hebrenjve, është kërcënim edhe për shtetin dhe popullin e Jordanisë”, theksoi ai.
“Marrëveshja e Shekullit”
Më 28 janar në Washington, pa përfaqësim të autoriteteve palestineze, presidenti Trump shpalosi planin prej 80 faqesh së bashku me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili, ndër të tjera, parasheh që Kudsi të mbetet kryeqytet “i pandarë” i Izraelit.
Sipas planit, i quajtur nga Trump si “Marrëveshja e Shekullit”, SHBA po ashtu njeh vendbanimet ilegale hebreje në Bregun Perëndimor të pushtuar, ndërsa refugjatëve palestinezë u mohohet e drejta e kthimit në vendlindjet e tyre.
Gjatë shpalosjes së planit, Trump pohoi se ky është “shansi i fundit” për palestinezët për të pasur një shtet të pavarur.
Marrëveshja Jordani-Izrael për importin e gazit natyror
Në shtator të vitit 2016, qeveria jordaneze firmosi një marrëveshje për blerjen e gazit natyror nga Izraeli në sasi prej 45 miliardë metrash kub për një periudhë 15-vjeçare, duke shkaktuar reagim te popullata dhe anëtarët e parlamentit.
Jordania filloi vendosjen e tubacioneve në vitin 2018, ndërsa nga 1 janari i këtij viti u njoftua fillimi i transferimit të gazit.
Supozohet se Izraeli ka rezerva të gazit natyror në sasi prej 800 miliardë metrash kub në fushat e naftës Leviathan dhe Tamar në Mesdhe./AA