Jordani – Tërhiqet p/ligji që shkaktoi protestat masive

Projektligji lidhur me taksat mbi të ardhurat, i cili shkaktoi protesta masive në Jordani, do të tërhiqet nga komisioni përkatës parlamentar pas formimit të qeverisë javën e ardhshme, njoftoi Omer al-Razzaz, i mandatuari i ri për formimin e qeverisë pas dorëheqjes së Hani al-Mulkit.

Omer al-Razzaz mbajti në kryeqytetin e vendit, Aman, një konferencë për media pas takimeve intensive me Kryetarin e Parlamentit dhe disa deputetë.

Projektligji në lidhje me tatimin mbi të ardhurat do të tërhiqet nga komisioni përkatës në Parlament pas krijimit të qeverisë së re javën e ardhshme,- deklaroi Razzaz.

Për më shumë se një javë Jordania është përfshirë nga protesta masive për shkak të planit të qeverisë për të zbatuar taksa të reja në të ardhura brenda masave të saj shtrënguese.

Trazirat nisën pasi më 21 maj, qeveria miratoi një version të ndryshuar të një projektligji mbi tatimin mbi të ardhurat, i cili parashikonte një tatim shtesë për të ardhurat vjetore prej 8.000 dinarëve jordanezë (rreth 11.200 dollarë) ose më lart.

Me argumentin se p/ligji në fjalë do të sillte 100 milionë dinarë (rreth 141 milionë dollarë) të ardhura Qeveria jordaneze e kishte dërguar atë për diskutim e miratim në parlament.

Në vazhdën e demonstratave, kryeministri jordanez Hani al-Mulki dha dorëheqje të hënën, kurse Mbreti Abdullah II për formimin e përbërjes së qeverisë së re mandatoi Al-Razzazin, ministër i Arsimit.

Projekt-ligji është cilësuar si diktat i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), ndërsa është pritur me reagime të shumta në mbarë Jordaninë, përfshirë protestat në kryeqytetin Aman dhe qytete të tjera./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne