Jordania: Provokimet izraelite do të shkaktojnë dhunë

Jordania ka bërë thirrje për ndalim të menjëhershëm të “provokimeve” izraelite në kompleksin Mesxhid Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar, duke paralajmëruar se aktet e tilla mund të sjellin një cikël të ri dhune në rajonin e Lindjes së Mesme, transmeton Anadolu Agency (AA).

Reagimi i Jordanisë erdhi pasi qindra kolonë hebrenj hynë në kompleksin e shenjtë të shoqëruar nga policia izraelite, në një turne të rrallë që u organizua në ditët e fundit të muajit të Ramazanit.

Turneu shkaktoi përplasje mes adhuruesve muslimanë dhe policisë izraelite, të cilët u sulmuan një numër besimtarësh.

Në një deklaratë, Ministria e Jashtme e Jordanisë paralajmëroi për “pasojat e rrezikshme të praktikave provokative dhe të neveritshme izraelite, të cilat do ta zvarrisin rajonin drejt një cikli të ri të dhunës që mund të kërcënojë sigurinë e rajonit në tërësi”.

Jordania u bëri thirrje autoriteteve izraelite që “të ndalojnë menjëherë të gjitha këto provokime”, duke i përshkruar ato si “absurde, të papërgjegjshme, të refuzuara dhe të dënuara”.

Autoriteti i Vakëfeve Fetare i drejtuar nga Jordania ka përgjegjësinë për mbikëqyrjen e vendeve të shenjta muslimane dhe të krishtera në Kuds.

Dhuna e sotme erdhi pas thirrjeve nga grupet hebraike që kolonët të tubohen në faltoren e shenjtë për të shënuar atë që ata e quajnë si “ribashkimin e Kudsit”.

Izraeli ka okupuar në mënyrë të paligjshme Kudsin Lindor, ku ndodhet Al-Aksa, që nga Lufta Arabo-Izraelite e vitit 1967.

Në vitin 1980, Izraeli aneksoi gjithë qytetin, hap që nuk u njoh asnjëherë nga komuniteti ndërkombëtar, duke e cilësuar atë si “kryeqytet të përjetshëm dhe të pandarë” të shtetit të vetëshpallur hebre.

Për muslimanët, Al-Aksa përfaqëson vendin e tretë më të shenjtë në botë pas Mekës dhe Medinës. Hebrenjtë, nga ana e tyre, i referohen zonës si “Mali i Tempullit”, duke pretenduar se ai është vendi i dy tempujve hebrenj në kohët e lashta.

E drejta ndërkombëtare vazhdon ta konsiderojë Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor si territore të pushtuara./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne