Ju kujtohet kur Numri 2 i OSBE-së tha se Britania është ‘3 herë më keq’?

Nga Vincent Van Gerven Oei

Ditët e fundit, emisionet e lajmeve kanë qenë të sunduara nga përgjimet e reja, publikuar nga gazeta gjermane BILD.

Këto përgjime janë prova të reja për blerjen e votave në qarkun e Durrësit dhe të Dibrës nga organizata kriminale në bashkëpunim me Partinë Socialiste.

Pasi Zëri i Amerikës dhe BIRN publikuan përgjimet e para të dosjes 339, në janar dhe shkurt 2019, eurodeputeti Knut Fleckenstein doli në mbrojtje të qeverisë shqiptare, ndërsa zëvendës ambasadori i OSBE-së në Tiranë Robert Wilton deklaroi: “Kur shoh diçka të keqe në Shqipëri, mund të them se kam parë tre herë më keq në Britaninë e Madhe!”

Pak muaj më vonë, në maj 2019, Fleckenstein humbi zgjedhjet për deputet në Parlamentin Europian, ndërsa heshtja e zyrtarëve ndërkombëtarë, përfshi OSBE-në, që përpiqen të gjëjnë ndonjë deklaratë që t’i nxjerrë nga situata—si ato të stërpërdorurat “reforma në drejtësi po funksionon”, “Komisioni Evropian rekomandoi hapjen e negociatave”, apo “kjo është thjesht një gërvishtje”—bie në sy më shumë se çdo titull lajmesh.

Mesazhi i fundit në Twitter i Ambasadorit të BE-së, Luigi Soreca, përmbante një intervistë të tij të botuar në një reportazh me pagesë botuar në Die Welt nga kompania Global FDI Reports, e cila reklamon se ofron “informacion të vlefshëm për investimet globale për të orientuar të pasurit dhe ata me ndikim (natyrisht, të paguar nga ‘sponsorë’)”.

Në reportazh, Ambasadori i BE-së Soreca duket se është i rrethuar nga Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e re e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, që tregon saktësisht sa paanshmërisht e sheh ai gjendjen aktuale.

Mesazhi i fundit në Twitter-it i OSBE-së datonte më 5 qershor, dhe ishte një ripostim i një Tweet-i të medias pro qeveritare, Top Channel, sipas së cilës “opozita duhet të ndalojë dhunën”.

Nuk është se OSBE-ja nuk është në dijeni të dukurisë së blerjes së votës. Në intervistën e parë pasi mbërriti në Shqipëri, në shkurt 2017, ambasadori Bernd Borchardt deklaroi:

“Çdo javë kapen mijëra rrënjë kanabis. Kjo do të thotë se ka më shumë para të pista në qarkullim. Qarkullojnë më shumë se 2 miliardë euro para të pista. Pra ekziston risku se këto para mund të përdoren për të blerë deputetë. Prandaj, ne rekomandojmë ndryshime në Kodin Zgjedhor, për të shmangur ose për të kufizuar më shumë blerjen e votave.”

Raporti i OSBE-së për Vlerësimin e Nevojave, botuar në prill 2017, pohonte se disa nga personat me të cilët kishte biseduar, kishin:

“shprehur shqetësime rreth keqpërdorimit të mundshëm të burimeve të adminsitratës publike gjatë fushatës elektorale dhe ndikimit në zgjedhje të parave të paligjshme nga grupet të organizuara kriminale.”

Pas zgjedhjeve të qershorit 2017, ministrat teknikë të qeverisë Rama—të emëruar pas marrëveshjes McAllister—publikuan një raport ku denoncuan, sërish, raste të shumta të blerjes së votave.

Por në shkurt 2019, zëvendësambasadori i OSBE-së Wilson deklaroi:

“A ka patur probleme me shitblerjen e votës: Po! A mund të ndryshonin kwto probleme rezultatin e zgjedhjeve: Jo!”

Iluzioni i këtij pretendimi—që blerja e votave nuk ka ndryshuar rezultatet e zgjedhjeve—është bërë tashmë i qartë, pasi përgjimet e dala nga Dosja 339 tregojnë qartë se organizatat kriminale kanë vendosur deputetë në lista, kanë emëruar personat pranë tyre në poste të rëndësishme twëadministratës publike, dhe kanë siguraur vota për PS-në përmes kërcënimit të nëpunësve civilë.

Një raport i financuar nga BE-ja, në vitin 2017 , tregoi se “21 për qind e të atyre që u pyetën në Shqipëri u është ofruar para ose shpërblim në këmbim të votave dhe 12 për qind e të pyeturve u shprehën se u është kërkuar nga punëdhënësi që të votonin për një parti të caktuar”.

Duke marrë parasysh madhësinë e mostrës të sondazhit, këto të dhëna duket se janë përfaqësuese për gjithë popullsinë shqiptare.

Më lejoni të përsëris se një nga arsyet kryesore që opozita e braktisi parlamentin është sepse nuk janë hetuar rastet e blerjes së votave në vitin 2017, duke rrezikuar që e njejta situatë të përsëritej në vitin 2019. Fakti që kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ende nuk është arrestuar tregon saktësisht statusin e këtij hetimi, i cili pa dyshim do të zvarritet deri pas zgjedhjeve nga prokurorët e emëruar nga qeveria Rama.

Përgjimet tregojnë se shqetësimet e opozitës—pavarësisht paaftësisë së saj për të ndërtuar një alternativë të besueshme ndaj sistemit aktual politik—janë legjitime dhe kanë qenë të tilla që nga viti 2017.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë në Shqipëri, jo vetëm misionet e OSBE-së dhe BE-së, tani duhet të zgjidhin një dilemë të pamundur: të pranojnë zgjedhjet pa opozitë, pa Kodin e ri Zgjedhor, dhe me rrezikun edhe më të madh të blerjes së votave; ose të mbrojnë anullimin e zgjedhjeve për të lejuar që opozita të marrë pjesë në to me një Kod të ndryshuar Zgjedhor.

Zgjidhja e parë, me siguri, do të çojë në rrugën e shtetit njëpartiak dhe në deformimin e sistemit ligjor shqiptar, për të cilin do të duhen një sërë gjykatash kushtetuese për ta rregulluar.

Zgjidhja e dytë përforcon dobësimin e mëtejshëm të shtetit ligjor dhe të Kushtetutës, sepse opozita nuk mund të “kthehet” ligjërisht në Parlament deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe data e zgjedhjeve nuk mund të zhvendoset ligjërisht.

Për më tepër, pozitat e ndërkombëtarëve, krahasuar me vitin 2017, janë dobësuar seriozisht. Politika e jashtme e SHBA-ve është rrëmujë, ndërsa Bashkimi Evropian po përgatitet për Komisionin e ardhshëm Europian, i cili pa dyshim do të ketë politika të reja në lidhje me zgjerimin.

Dhe OSBE-ja? Po… a nuk po flasim për humbjen totale të besueshmërisë!/ exit

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne