Ju tregoj si funksionojnë mashtrimet me bursat dhe call center, nga Shqipëria!

Kohët e fundit call center-at janë përhapur tejmase në Shqipëri, sidomos në Tiranë ku popullsia është më e madhe dhe më shumë njerëz kanë nevojë për punë. Shumica e këtyre qendrave telefonike tentojnë dhe i shesin produktet e tyre në Itali, Gjermani, Spanjë dhe shumë vende të tjera. Mjafton vetëm të kesh disa numra italianë, spanjollë etj, dhe të kapësh ndonjë klient çfarëdo për t’i reklamuar dhe nëse ke shumë fat mund edhe t’ia shesësh produktin.

Megjithëse shumë call center-a funksionojnë me shitje produktesh, disa të tjera me bursat. Hap operacione, dhe fatmirësisht për kompaninë, por keq për klientin që depozitoi shuma të mëdha, e u dogj.

Për bursat nuk duhen klientë të çfarëdoshëm, por ‘peshq të mëdhenj’ dhe pak budallenj që iu është bërë ves të fusin para në kompani të ndryshme, edhe pse e dinë se në fund do të dështojnë.

Call center-at me bursa në Shqipëri gjejnë numra të pasurish dhe jo vetëm, sigurisht që të huaj, operatorët realizojnë telefonata, gjejnë mënyra nga më të ndryshmet për t’ua mbushur mendjen të hedhin ndonjë 5 qindëshe, një mijëshe apo edhe me dhjetëshe, në bursë. Pas hedhjes së shumës së caktuar, hapen operacione, në të cilat klienti shpreson se paratë e tij do të trefishohen apo katërfishohen, por ky nuk është qëllimi i kompanive. “Tregu rezultoi keq, paratë tuaja humbën”, kjo është fraza që shumë klientë dëgjojnë pas hapjes së ‘operacioneve’, që as ashtu nuk janë, por paratë i përfiton vetë kompania call centeriste.

Nëse është i zgjuar klienti e lë me kaq, por ka edhe nga ata që mashtrohen sërish, dhe u kërkohet të hedhin shuma të tjera me shpresën për të marrë ato të parat, por nuk e dinë se është ‘kurth’.  “Nëse hidhni një 200-ëshe, ju do të mund të shpëtoni shumën që humbët më parë. Ose ktheni disa euro apo dollarë në bitcoin dhe shuma juaj do të trefishohet dhe do të keni mundësi ta tërhiqni.”,- i thotë operatori, klientit. Klienti mund të hedhë ende para, madje edhe kompania mund t’i kthejë një shumë fare të vogël. P.sh nëse hedh 10 mijë euro, i kthehen 500 euro, pasi sipas operatorit shuma është e ngrirë, gjasme, dhe nuk mund ta tërheqë shumën e trefishuar. Dhe pas marrjes së 500 qindëshes, operatori e bind klientin të hedhë edhe më shumë para, pasi shuma e tij e parë, bashkë me këtë që do të hedhë do të trefishohet.

Por në fakt edhe këto lekë që futën sërish në bursë shkojnë në xhep të kompanisë, të cilat ndahen me përqindje mes pronarëve dhe një përqindje shumë e vogël shkon për operatorin që realizon kontratën. Dhe nëse klienti fatkeq e që mbeti trokë, pasi hodhi gjithë paratë në bursë do të bëjë denoncim, do ta ketë kot, pasi ai ka firmosur disa dokumente, dhe nga ana ligjore as kompanisë nuk i bën dot gjë, pasi është kompani fantazmë, dhe operatori me të cilin ai komunikon, është ose italian, ose spanjoll, varet dhe me shtetin që ai flet. Sigurisht që operatori që realizon kontratat nuk do të përdorë emrin e vet, çdo e dhënë është farsë dhe çdo para e hedhur në bursë është mashtrim.

Ja pra ju duhet vetëm të dini një gjuhë të huaj, anglisht, italisht, spanjisht ose gjermanisht, pak tru dhe ndonjë klient budalla për t’u bërë i pasur në Shqipëri, nëse punon në kompani që merren me bursat.

Operatorët që mashtrojnë e i gëzohen parave të shpejta dhe nuk e dinë çfarë rrezikojnë nëse zbulohen. Pronarët e call center i sigurojnë që nuk do të zbulohen kurrë. Po ku ka mashtrim që nuk zbulohet kurrë dhe nuk ndëshkohet?/dritare.net

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne