Rajoni

Juncker: Asnjë vend në Ballkanin Perëndimor nuk është gati për anëtarësim në BE

Presidenti i Komisionit Evropian (KE), Jean-Claude Juncker, në Samitin “Komisioni Evropian-Ballkani Perëndimor”, që po mbahet në kryeqytetin e Bullgarisë, Sofje, deklaroi se asnjë vend në Ballkanin Perëndimor nuk është gati për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në konferencën për media të mbajtur pas Samitit, Juncker tha se kanë mbështetur përpjekjet për reforma të vendeve në Ballkanin Perëndimor, të cilët po përpiqen të përparojnë drejt anëtarësimit në BE, por se asnjë vend nuk do të jetë në gjendje t’i bashkohet BE-së deri në vitin 2019.

“Vendet e Ballkanit janë të detyruar të zgjidhin problemet e tyre dypalëshe”, tha Juncker.

“Asnjë vend në Ballkanin Perëndimor nuk është gati për anëtarësimin në BE. Nuk do të bëhen tolerime për kriteret. Vendet rajonale duhet t’u japin fund problemeve dhe krizave të tyre dypalëshe. Ne ndjekim me përpikmëri stabilitetin e rajonit”, theksoi Juncker.

Pasi ka rikujtuar se janë të rëndësishme secila nga 155 kriteret e përcaktuara për anëtarësim në takimin e mbajtur në Trieste të Italisë, Juncker vuri në dukje theksin se Ballkani Perëndimor e ka vendin në BE.

Ndërsa kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov që ka dhe presidencën e radhës me BE-në, ka bërë të ditur se të gjitha palët duhet të bëjnë përgatitjet për Samitin që do të mbahet më 16-17 maj në Sofje mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.

“Lidhjet e transportit të Ballkanit Perëndimor me Evropën janë shumë të këqija”, tha Borisov duke kritikuar gjendjen me infrastrukturën e transportit që lidh me njëra-tjetrën vendet e Ballkanit.

Në anën tjetër Komisioneri për Negociata dhe Zgjerim të BE-së, Johannes Hahn, në një deklaratë para takimit për televizionin kombëtar të Bullgarisë (BNT) tha se “nuk do të pranojë asnjë vend që ka një konflikt me fqinjët e tij”.

Hahn vuri në dukje se disa kriza kanë vazhduar në Ballkan për shumë vite. “Sa më gjatë që këto kriza të vazhdojnë, aq më e gjatë do të jetë zgjidhja”, shtoi ai.

Duke vënë theksin se marrëdhëniet ndërmjet vendeve fqinje nuk duhet të jenë të këqija edhe në jetën e përditshme të njerëzve Hahn potencoi se ka qenë një “shembull i mirë” nënshkrimi i një marrëveshjeje për fqinjësi të mirë midis Bullgarisë dhe Maqedonisë, e cila ka qenë pezull për shumë vite.

Duke iu referuar rëndësisë së harmonisë në mes të Kosovës dhe Serbisë, Hahn tha se zgjidhja do të shpërblehet me një perspektivë evropiane.

Hahn shtoi se 80 për qind e qytetarëve në Ballkanin Perëndimor presin për veten, për nipërit dhe mbesat e tyre një perspektivë evropiane, një jetë më të mirë, një standard më të lartë jetësor dhe paqe.

Në kryeqytetin e Bullgarisë, Sofje, e cila ka edhe presidencën e radhës së Bashkimit Evropian u mbajt Samiti “Komisioni Evropian-Ballkani Perëndimor”, ku morën pjesë Presidenti i KE-së, Jean Claude Juncker, Komisioneri për Negociata dhe Zgjerim të BE-së Johannes Hahn, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Marrëdhëniet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Federica Mogherini, kryesuesi i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës Dragan Çoviç, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, kryeministri i Bullgarisë Bojko Borisov, kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviç, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev. (Anadolu Agency-AA)

OPINIONE