Juncker: Demarkacioni kyç për liberalizimin e vizave

Kryetari i Komisionit Evropian (KE), Jean-Claude Juncker, i cili qëndron për vizitë në Kosovë, ka deklaruar se “Kuvendi i Kosovës duhet të votojë demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, që është një hap kyç dhe i pashmangshëm drejt liberalizimit të vizave”.

Gjatë vizitës, kreu i KE-së ishte i shoqëruar nga shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian (BE), Federica Mogherini dhe komisioneri për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn. Delegacioni i lartë i BE-së zhvilloi një takim me delegacionin kosovar të përbërë nga Presidenti Hashim Thaçi, Kryeministri Ramush Haradinaj dhe Kryeparlamentari Kadri Veseli.

Pas takimit midis dy delegacioneve, Juncker në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentin Thaçi, tha se Strategjia e Komisionit Evropian për zgjerim, e cila është shpallur më 6 shkurt, mbulon të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe kërkon të thellojë bashkëpunimin me të gjithë partnerët e rajonit. Sipas tij, kjo strategji thekson rëndësinë e reformave që duhet të ndërmerren në rajon dhe në Kosovë.

“Këto reforma duhet të përqendrohen në respektimin e shtetit të së drejtës, përforcimin e drejtësisë dhe vendosjen përfundimtare të të drejtave themelore për qytetarët, në veçanti për më të rinjtë dhe më të talentuarit midis tyre. Vlerat e shtetit të së drejtës dhe të drejtat themelore duhet të jenë thelbi i begatisë së Evropës. BE-ja është një bashkim vlerash dhe kosovarët kështu do të gjejnë një të ardhme të sigurt në Evropë”, tha Juncker.

Duke porositur se duhet të vazhdojnë të gjitha përpjekjet kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, Juncker tha se Presidenti Thaçi i ka dorëzuar disa dokumente me të cilat KE-ja do të jetë në gjendje të propozojë liberalizimin e vizave.

“Është esenciale që kuvendi juaj së shpejti të votojë demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Është një hap kyç dhe i pashmangshëm drejt liberalizimit të vizave, ku bashkëqytetarët tuaj, shqiptar e serb, do të jenë përfituesit e parë”, tha Juncker.

Kreu i KE-së theksoi se data e liberalizimit të vizave nuk varet nga BE-ja, por nga zhvillimet në Kosovë.

Juncker, i cili foli edhe për marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë, tha se BE-ja dëshiron që këto marrëdhënie të vijnë në një bazë të re të dhe palët të gjejnë një zgjedhje juridikisht të detyrueshme.

Ndërkaq Presidenti Thaçi, nga ana e tij, theksoi se strategjia e re e BE-së për Ballkanin Perëndimor ka rikonfirmuar dy gjëra të rëndësishme, të ardhmen e sigurt për anëtarësimin e vendit në BE dhe se kjo perspektivë e anëtarësimit është e kushtëzuar me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ekzistuese ndërshtetërore midis vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ai vuri në dukje se Kosova është plotësisht e përkushtuar ndaj këtyre dy qëllimeve dhe se detyra e tyre është që si hap të parë të sigurohet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE dhe të punohet me përkushtim të lartë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, e gjithë kjo, siç tha ai, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja përmes një marrëveshjeje përfundimtare me obligime detyruese ligjore.

Duke falënderuar Mogherini-n për rolin e saj udhëheqës në këtë proces, Thaçi tha se dialogu është një proces shumë i vështirë, por edhe një rrugë e vetme për t’i dhënë fund konfliktit një shekullor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai shtoi se dialogu është rruga e vetme që do të kontribuojë që vendet të ecin përpara, përndryshe, sipas tij, vendet mund të jenë pengesë ndaj njëri-tjetrin.

“Vazhdimi i dialogut është në interes të të dy vendeve dhe popujve tanë, që të lëvizet përpara drejt përforcimit të fqinjësisë së mirë, të normalizimit të marrëdhënieve tona, të pajtimit dhe të një marrëveshjeje detyruese ligjore që Kosova dhe Serbia të ndërtojnë një raport evropian të fqinjësisë së mirë, e cila do të hap një perspektivë të sigurt dhe do ta përshpejtojë rrugëtimin evropian edhe të Kosovës, edhe të Serbisë”, tha ai.

Lidhur me liberalizimin e vizave, Thaçi tha se sot Kuvendi i Kosovës nuk arriti të ratifikojë marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi, por shprehu bindje se kjo marrëveshje do të ratifikohet në ditët e ardhshme. Pas ratifikimit, tha ai, Juncker dhe të gjithë bartësit e BE-së do t’i marrin vendimet e duhura dhe do t’i japin fund izolimit të qytetarëve të Kosovës.

Juncker në Kosovë qëndron në kuadër të turneut të tij ballkanik. Ai vizitoi Maqedoninë, Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Bosnje e Hercegovinën, ndërsa pas Kosovës do ta vizitojë Bullgarinë. (AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne