Juncker në SHBA për t’i dhënë fund luftës tregtare

A mundet Bashkimi Evropian që të parandalojë në kohë një luftë tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës?

Kjo është pyetja që Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, shpreson t’i përgjigjet pas takimit të mërkurën e ardhshme me Presidentin amerikan, Donald Trump, edhe pse dy palët duken të përmbajtura për sa i takon një përshkallëzimi të mëtejshëm.

Junckeri do të takohet me Trumpin javën e ardhshme me shpresën e mënjanimit të një lufte tregtare të ashpër, ndërkohë që BE-ja po përgatit gjithashtu kundërmasa në rast të një përshkallëzimi të situatës nga ana e Uashingtonit.

Qershorin e kaluar, përveç partnerëve të tjerë tregtarë të SHBA-së, Trumpi rriti taksat për produktet e çelikut dhe aluminit edhe nga vendet anëtare të BE-së, çka solli një hakmarrje të Unionit duke rritur tarifat për më shumë se 3 miliardë dollarë mallra amerikane, të cilat fillonin nga gjalpi i kikirikëve deri te uiski dhe motoçikletat.

Këto masa mund të jenë vetëm lëvizja e parë në një lojë shahu të një lufte tregtare më të madhe nëse Trumpi vë në jetë kërcënimet e tij për një rritje automatike të tarifave.

“Masat për çelikun dhe aluminin u kthyen nga teorike në praktike, por nëse tarifat do të rriten edhe për makinat, atëherë ky realitet do të bëhet edhe më i ashpër”, deklaroi komisarja për Tregtinë e BE-së, Cecilia Malmstrom.

“Kjo lëvizje do të ishte shkatërrimtare”, theksoi ajo.

“Nëse tarifat për metalet prekin 6,4 miliardë eksporte të BE-së, për makinat kjo do të arrinte në më shumë se 50 miliardë euro në vit”, tha eurokomisarja për Tregtinë.

Malmstromi do të shkojë së bashku me Junckerin në SHBA për bisedime me Trumpin, siç tha ajo, “në kuadër të miqësisë së gjatë mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Evropës”.

Për të çtensionuar situatën, pritet që Junckeri dhe Malmstromi të propozojnë të ashtuquajturën “marrëveshje sektoriale shumëplanëshe” për heqjen e tarifave për makinat./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne