Shqiperia

‘Justifikimi’ i Ilir Metës për pasuritë, deklaron 200 mijë euro cash, mister burimi

Në vitin 2010 Meta dhe Kryemadhi blenë apartament 400 mijë euro dhe vilën në Gjirin e Lalzit

Nuk ka dyshim se Ilir Meta është një ndër politikanët dhe pushtetarët më të pasur në Shqipëri. Pasuria e tij e deklaruar arrin një vlerë prej miliona eurosh, ndonëse nuk posedon asnjë biznes të ligjshëm apo të ardhura të tjera, përveç pagës, për të justifikuar pasuritë e paluajtshme dhe paratë nëpër banka. Megjithatë, Presidenti Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, në kohë të ndryshme, kanë dhënë versionin e tyre, pranë Inspektoratit të Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive sa i takon burimit të parave, për blerjen e vilave dhe apartamenteve, ku vetëm njëri prej tyre arrin deri në 400 mijë euro. Në vitin 2010, një vit pasi u bashkua me Sali Berishën për të qeverisur vendin, Ilir Meta befas ka blerë rreth 1 milionë euro pasuri të paluajtshme. Presidenti Ilir Meta, në vitin 2010, ka blerë një apartament banimi 200 metra katrorë te Rr. Barrikada, me vlerë 400 000 euro. Po gjatë atij viti, Meta ka blerë vilën me sipërfaqe 317 metra katror në fshatin turistik në Gjirin e Lalzit Durrës, me kontratë sipërmarrjeje me Lura sh.p.k. Në deklaratën e pasurisë nuk ka të dhëna për vlerën e vilës, por ajo llogaritet me një vlerë prej 600 mijë eurosh. Për të justifikuar blerjen e apartamentit me vlerë 400 mijë euro, Meta ka deklaruar marrjen e një kredie 200 mijë euro në Credins Bank. Gjithashtu, Meta ka deklaruar 200 mijë euro cash. Deklarimi i shumës cash në vlerën 200 mijë euro përbën një vepër penale, pasi sipas ligjit për kontrollin dhe deklarimit të pasurisë asnjë zyrat nuk mund të mbajë para cash më shumë se 3 milionë lekë. Megjithatë, shumë prej 200 mijë eurosh është e deklaruar nga Ilir Meta në deklaratën e pasurisë për vitin 2010 dhe kjo mund të shërbejë si provë nga organet e reja anti-korrupsion që do të ngrihen në fund të këtij viti. Por, ka dyshime serioze sa i takon burimit të shumës prej 200 mijë euro. Meta thekson se 200 mijë euro i ka deklaruar në deklaratat e mëparshme të pasurisë, por nga verifikimi i deklaratave nuk rezulton të këtë deklaruar një shumë të tillë, madje në vitit 2009, Meta rezultonte i zhytur në borxhe.

Vila në Gjirin e Lalzit

Po aq i dyshimtë është edhe versioni për justifikimin e blerjes së vilës në Gjirin e Lalzit. Në deklaratë e pasurisë së viti 2010, Ilir Meta deklaron si burim, këmbimin me sipërfaqe ndërtimore 300 metra katrore, ambiente tregtare, sipas kontratës me firmën Agigos, si përfitues 33 % të sipërfaqes së ndërtimit si pronar trualli. Mbetet mister se si Ilir Meta u bë përfitues me 33 % të këtyre ambienteve tregtare. Meta ka edhe një justifikim të dytë. Në deklarimin e pasurisë në vitin 2009, Ilir Meta e deklaron këtë pasuri vetëm me fjalinë “kredi për apartament banimi në Durrës në San Paolo Bank, me këst mujor 820 USD për shumën e shlyer prej 22 mijë dollarësh. Sot vila me një sipërfaqe ndërtimi disa qindra metër katrorë thuhet se vlen mbi 600 mijë euro dhe vlera e saj dhe pronave të tjera në këtë zonë, dikur të izoluar, është rritur ndjeshëm pas ndërtimit të rrugës. Rruga nga autostrada Tiranë-Durrës deri te Gjiri i Lalzit, me vlerë rreth 9 milionë dollarë nisi në 2007 dhe përfundoi në 2009, para zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.

Dyshime për pasurinë e 2009

Në deklarimin bërë pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive, për vitin 2009, duke e krahasuar me pasurinë reale që disponon, rezulton se Ilir Meta, ka fshehur një pjesë të mirë të pasurisë së tij. Meta ka deklaruar vetëm rrogën e tij dhe marrjen e një kredie në formën prej 20.321 euro në formën e overdraftit, duke fshehur kësisoj shtëpinë 800 mijë euroshe në mes të Bllokut. Për shkak të mungesës së transparencës, nuk dihet nëse Meta e ka blerë apo jeton me qira në shtëpinë 800 mijë euroshe në mes të Bllokut, e cila zë një sipërfaqe prej 400 m 2. Nga një anë Meta pretendon se jeton me qira, kundrejt një pagese mujore prej 3 mijë eurosh. Këtu, pyetja që lind natyrshëm është: nga i ka siguruar Meta 3 mijë euro në muaj, në kushtet kur paga e tij dhe e bashkëshortes nuk e mbulonin një shumë të tillë? Nga ana tjetër deklaron se ka marrë overdraft prej  20.321 euro, duke jetuar me qira në një shtëpi me 3 mijë euro në muaji. Ndërkaq, edhe nëse Meta e ka blerë shtëpinë, lind pyetja tjetër: pse nuk e ka deklaruar në deklaratën e pasurisë për vitin 2009? Nëse Meta e ka blerë shtëpinë në vitin 2008 apo në vitin 2009, pse nuk e ka kalaruar në deklaratat e pasurisë të këtyre viteve.

Pasuria e Metës për 2010, 400 mijë euro apartament

– Shtesë në llogarinë Bankare Credins Bank 135 318 lekë

– Apartament banimi 200 metra katrorë te Rr. Barrikada 400 000 euro

– Burimi, kredi nga Credins Bank 200 000 euro

– Gjendja cash 200 000 euro

– Paga si zëvendëskryeministër dhe ministër Ekonomie 1 768 385 lekë

– Bashkëshortja, sekretare e LSI 969 324 lekë

– Anëtare e Këshillit Bashkiak 278 100 lekë

– Kredi nga Credins Bank për blerja apartamenti 200 000 euro, 6550 euro paguar

– Shtesë në llogarinë Bankare tek Credins Bank, 295 782 lekë

– Pakësim në llogarinë Bankare tek Credins Bank

– Apartament banimi 2 kate, me sipërfaqe 317 metra katror në fshatin turistik në Gjirin e Lalzit Durrës me kontratë sipërmarrjeje me Lura sh.p.k.

– Burimi, këmbimi me sipërfaqe ndërtimore 300 metra katrore, ambiente tregtare, sipas kontratës me firmën Agigos, si përfitues 33 % të sipërfaqes së ndërtimit si pronar trualli.

Pasuria për 2009

 – Paga si deputet dhe zv.kryeministër 1.273.317 lekë

– Të ardhura nga shpërblime dhe komisione në Kuvend 662.874 lekë

– Të ardhura si anëtare e KB të Tiranës dhe këshillit të Qarkut (bashkëshortja) 314.077 lekë

– Të ardhura nga paga si sekretare organizative në LSI (bashkëshortja) 158.773 lekë

– Monika Kryemadhi borxh vëllait, Drini Kryemadhi, për të marrë overdrafti, në shumën prej 20.321 euro.

Pasuri e Metës për 2008

– 43 256 lekë llogari për pagat në Credins Bank

– 4 807 dollarë llogari bankare për shlyerje kredie në San Paolo Bank

– 2 777 566 lekë paga dhe shpërblime si deputet në Kuvendin e Shqipërisë

– 659 565 lekë të ardhura nga bashkëshortja si ish-deputete në Kuvendin e Shqipërisë

– 378 789 lekë të ardhura nga bashkëshortja si anëtare e Këshillit Bashkiak Tiranë

– 22 000 dollarë shuma e shlyer nga deklarimi i mëparshëm për kredinë e marrë për blerjen e një apartamenti banimi në Durrës

– 40 000 lekë shtesë në llogarinë bankare të bashkëshortes Monika Kryemadhi

– Kontratë sipërmarrje në emrin e Monika Kryemadhit mbi truallin e deklaruar më parë, në rrugën “Teodor Keko”, mbrapa Doganës së Tiranës, me firmën “Agikons”, nga e cila përfiton 35% të sipërfaqes së ndërtimit.

OPINIONE

INTERVISTA